/ATSH/- Këshilli Politik do të mblidhet sërish sot për të diskutuar mbi propozimet për ndryshimet kushtetuese.
Bashkëkryetari i Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore, Damian Gjiknuri bëri të ditur se mbledhja e këshillit do të bëhet në orën 17:00 në pallatin e Kongreseve.
Nëpërmjet një emaili dërguar opozitës jashtëparlamentare, Gjiknuri thotë se ”presim që të bëni propozimet tuaj për këtë çështje”.
“Ju rikujtoj se në mbledhjen pesë orëshe të datës 21 Korrik, thërritur prej nesh, ju është prezantuar nisma e opozitës parlamentare për ndryshime në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, procedura e ndjekur nga Kuvendi, varianti i dakordësuar dhe miratuar nga Këshilli i Rregullores dhe Komisioni Parlamentar për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut bashkë me relacionin përkatës. Ndonëse dokumenti ka qenë krejtësisht publik, në faqen zyrtare të Kuvendit, ashtu sikurse të gjitha seancat e zhvilluara në komisione kanë qenë të hapura e publike, meqenëse ju deklaruat se ishit në mungesë dijenie, ju dorëzua edhe zyrtarisht një kopje nga sekretaria e Këshillit Politik”, thekson Gjiknuri.
“Në kushtet kur ju pranoni mungesën e propozimeve konkrete të cilat do duhej të ja dërgonit paraprakisht anëtarëve të Këshillit dhe duke vlerësuar gjithësesi gatishmërinë tuaj për t’u takuar, ju konfirmoj pjesëmarrjen në mbledhje. Mbledhja e radhës e Këshillit Politik do të zhvillohet ditën e sotme, e premte 24 korrik 2020, në orën 17:30 pranë ambienteve të sallës Ovale te Pallati i Kongreseve”, shprehet Gjiknuri.