/ATSH-AFP/ – Në krye, pavarësisht presioneve, ”Huawei” është bërë në tremujorin e dytë shitësi numër një i smartfonëve, në një moment kur grupi kinez po lufton kundër SHBA-së për vendosjen në botë të teknologjisë së tij 5G.

Giganti i telekom ndodhet në qendër të rivalitetit kino-amerikan, në sfondin e luftës tregtare dhe teknologjike dhe dyshimeve për spiunazh.

”Huawei” është konsideruar si lideri botëror i 5G, një standard i ri i teknologjive mobile të vendosura për të revolucionarizuar internetin dhe vendosja e të cilit duhet të përshpejtohet.

Në mënyrë paradoksale, pandemia e koronavirusit të ri ka ndihmuar Huawei-n, duke penalizuar më tej konkurrentin e tij kryesor.

Mes prillit dhe qershorit, grupi kinez shiti 55,8 milionë telefona (-5% gjatë një viti) kundrejt 53,7 milion për ”Samsung” (-30%).

“Ky është një rezultat i jashtëzakonshëm që pak njerëz do ta parashikonin një vit më parë”, theksoi Ben Stanton, analist në Canalys, duke parë efektin e COVID-19.

“Huawei’ ka përfituar nga rimëkëmbja ekonomike në Kinë për të rifilluar aktivitetin e tij në fushën e smartfonëve, ndërkohë që tregjet kryesore të konkurrentit të tij ‘Samsung’ (Brazil, Indi, SHBA dhe Europe) mbeten të prekura nga pandemia”, theksoi Stanton./ /ec/