ATSH/ Pandemia e COVID-19 ka pasur ndikim në shëndetin publik, por gjithashtu ka prekur rëndë një nga industritë kyçe të ekonomisë ndërkombëtare – industrinë e turizmit.

Edhe sektori i turizmit në Shqipëri u godit për shkak të COVID-19. Sipas INSTAT, numri i shtetasve të huaj të hyrë në Shqipëri në shtatëmujorin 2020 është 1.169.610, duke rënë me 64,7 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2019.

Mbi 6.4 milionë shtetas të huaj kanë hyrë në vendin në vitin 2019, ndërsa të ardhurat e ekonomisë shqiptare nga turizmi vitin e kaluar arritën në afro 2.1 miliardë euro, shifra më e lartë e regjistruar ndonjëherë.

Agjencia e Zhvillimit të Investimeve (AIDA) publikoi disa statistika lidhur me ndikimin e COVID-19 në industrinë e turizmit.

Sipas të dhënave të fundit, linjat ajrore po shohin një rënie masive të pasagjerëve, degë të tjera të industrisë së turizmit po përballen me pengesa të ngjashme.

Në vitin 2020, të ardhurat globale nga industria e udhëtimit dhe turizmit ishin parashikuar të shkonin në 711.94 miliardë dollarë por kjo shifër është ulur në 568.6 miliardë dollarë, që paraqet një rënie mbi 20%.

Si pika e origjinës së përhapjes së koronavirusit, rajoni i Azisë është më i prekuri nga COVID-19.

Degët që janë parashikuar të shohin rënien më të lartë të shpenzimeve janë restorantet dhe baret (ushqimi dhe pije) dhe transporti.

Italia mund të humbasë deri në 7.7 miliardë euro në vlerë të shtuar të turizmit këtë vit. Në Spanjë, numri me i madh i anullimeve te hoteleve ka ndodhur gjatë pashkëve, duke detyruar shumë kompani hotelesh të mbyllin dyert e tyre përkohësisht.

Në Paris, një nga qytetet më të vizituara në të gjithë botën, nivelet e rezervimeve të hoteleve kanë rënë nga 84% në janar 2020, me 1.8% në mars.

Në total humbjet në punonjës në sektorin e turizmit për shkak të COVID-19 llogariten 100 milionë njerëz. /j.p/