Ministrja e Arsimit Evis Kushi dhe Kryetari i Grupit Parlamentar Socialist Taulant Balla ishin në shkollën “Adem Krasniqi” në lagjen “Skëndërbej” në Elbasan ku u interesuan për situatën në këtë shkollë dhe ecurinë e mësimit të alternuar.

Ministrja mori mendimet e mësuesve dhe nxënësve për mësimin e alternuar në shkolla dhe online si dhe kërkoi angazhim maksimal edhe në këto ditë të mbetura, deri në mbylljen e shkollës për pushimet e fundvitit:

“Vendosëm që nxënësit e fillores të vijnë në shkollë sepse për ta është më e vështirë të zhvillohet mësimi online, por edhe konsiderohen si jotransmetues të fortë të covid 19.

Edhe pak ditë mbeten deri në përfundim të këtij tremujori dhe kërkoj përkushtim, të kalojmë edhe këto ditë, dhe më pas do të kemi një periudhë më të gjatë pushimesh se vitet e tjera, e cila besojmë se do ta stabilizojë disi situatën” u shpreh Znj. Kushi.

Balla, nga ana e tij, kërkoi më shumë përkushtim dhe disiplinë në këtë shkollë si dhe më tepër bashkëpunim dhe komunikim me prindërit. Balla tha se ky shqetësim është përcjellë nga komuniteti dhe një shkollë me të gjitha standardet infrastrukturore, si shkolla “Adem Krasniqi”, nuk mund të ketë standarde mësimdhënie më të ulëta se shkollat e tjera të qytetit.

“Perceptimi i prindërve është se kjo shkollë s’ka të njëjtin rregull si shkollat e tjera të qytetit. Pra, duhet që shkolla e lagjes “Skëndërbej” të mos ketë asnjë ndryshim në standard nga shkollat e tjera” u shpreh Balla.