ATSH/- Duar më të dobëta, shikim i paqartë: A po ju krijon telefoni një “trup të ri”? Përdorimi i përditshëm i telefonave dhe pajisjeve të tjera elektronike, nuk ndikon vetëm te shëndeti mendor. Sipas ekspertëve, ai mund të shkaktojë edhe ndryshime fizike në trup, duke prekur shikimin, qafën, muskujt, forcën e duarve, madje edhe aftësitë motorike, shkruan BBC.
Ja çfarë kane treguar gjetjet kryesore:
Shikimi
Rastet e miopisë (vështirësisë për të parë larg) janë rritur ndjeshëm vitet e fundit.
Sipas profesorit të optometrisë, në Universitetin Shtetëror të Ohajos, Donald Mutti, problemi nuk lidhet drejtpërdrejt me shikimin e telefonit nga afër, siç besohet shpesh.
Studimet tregojnë se faktori mbrojtës më i rëndësishëm është koha e kaluar jashtë, në dritën natyrale.
Drita e diellit, nxit çlirimin e dopaminës në retinë, proces që ndihmon zhvillimin normal të syrit.
Këshillë: Kaloni më shumë kohë jashtë, duke përdorur krem mbrojtës dhe syze dielli.
“Qafa teknologjike” (Tech neck)
Kur shikoni vazhdimisht telefonin me kokën të përkulur, krijohet ajo që ekspertët e quajnë “tech neck” ose qafa teknologjike.
Kjo mënyrë qëndrimi, mund të ushtrojë deri në 27 kilogramë presion mbi qafën, duke shkaktuar me kalimin e kohës:
- dëmtime të disqeve të shtyllës kurrizore;
- konsumim të nyjeve dhe muskujve;
- ulje të kapacitetit të mushkërive.
Madje, mund të ndryshojë edhe qëndrimin e përhershëm të trupit.
Këshillë: Mbajeni ekranin në lartësinë e syve dhe bëni pushime të rregullta gjatë përdorimit të pajisjeve.
Rrudhat dhe irritimet e lëkurës
Dermatologët thonë se ende nuk ka prova shkencore, që përdorimi i telefonit shkakton rrudha në qafë, megjithëse teoria konsiderohet e besueshme.
Ndërkohë, përdorimi i vazhdueshëm i orëve inteligjente (smartwatch) mund të shkaktojë:
- irritim të lëkurës;
- ekzemë;
- reaksione alergjike ndaj materialeve si nikeli, goma, lateksi apo disa përbërës kimikë.
Këshillë: Hiqeni orën herë pas here, pastroni lëkurën dhe përdorni krem mbrojtës nëse e mbani gjatë gjithë ditës.
Dobësimi i fuqisë së duarve
Ekspertët paralajmërojnë se forca e kapjes së dorës (grip strength) është një tregues i rëndësishëm i shëndetit të përgjithshëm.
Studimet tregojnë se kjo forcë po bie sidomos te të rinjtë, pjesërisht për shkak të stilit të jetesës sedentare dhe punës përpara ekranit.
Forca e dobët e duarve, lidhet me gjendje më të dobët fizike dhe, sipas disa studimeve, është edhe tregues i rrezikut më të lartë për probleme shëndetësore.
Këshillë: Ushtroni rregullisht dhe forconi muskujt e duarve me aktivitete fizike.
Koordinimi dorë-sy
Përdorimi i tepërt i ekraneve, mund të ndikojë negativisht në aftësitë motorike, pra në koordinimin e lëvizjeve të trupit dhe duarve.
Sipas studiuesve, teknologjia mund t’i bëjë njerëzit më të shpejtë në klikime dhe rrëshqitje të gishtit mbi ekran, por jo domosdoshmërisht, më të aftë në lëvizjet e përditshme.
Tek fëmijët, studimet kanë gjetur lidhje mes kohës së gjatë para ekranit dhe zhvillimit më të dobët motorik, gjë që mund të ndikojë edhe në zhvillimin njohës dhe rezultatet në shkollë.
Këshillë: Përfshini më shumë aktivitete praktike si gatimi, shkrimi me dorë, vizatimi, punimet artizanale ose mësimi i një instrumenti muzikor.
Ekspertët theksojnë se efektet nuk janë dramatike për çdo individ, por me kalimin e viteve dhe në shkallë të gjerë, mund të ndikojnë në shëndetin fizik të popullsisë.
Zgjidhjet janë të thjeshta, më shumë aktivitet fizik, më shumë kohë në natyrë, pushime të shpeshta nga ekranet dhe një pozicion i duhur i trupit, gjatë përdorimit të telefonit ose kompjuterit. //a.i/



























