Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjetikës, Belinda Balluku hodhi poshtë sot akuzat e bëra ndaj saj nga Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, për blerje votash në zgjedhjet e 25 prillit.
Balluku, e cila ka fituar mandatin e deputetit për legjislaturën e ardhshme gjatë një interviste televizive për Euronews Albania u shpreh se pretendimet e PD-së nuk bazohen në fakte dhe prova.
Ministrja tha se në bisedat e publikuara nga PD tregohet puna në terren për procesin e legalizimeve dhe rindërtimin në zonën e Kombinatit, që është një nga dy zonat më të goditura në Tiranë dhe se aty nuk ka asnjë fjali ku përmendet shitblerja e votës.
“Personalisht ekzekutoj më shumë se dy vite e gjysëm kujdes për qytetarët. Dhe që të kujdesesh për qytetarët dhe të bësh matje në zonën e Kombinatit ku është një zonë e goditur nga tërmeti, një nga dy zonat e Tiranës të goditura nga tërmeti, ku procesi i legalizimit ka ndaluar pikërisht për shkak të procesit të rindërtimit, është të kujdesesh për njerëzit”, tha ajo.
“Tani e pashë për herë të parë se kam qenë gjithë ditën kantiereve, por nuk pashë ndonjë blerje votash, ndonjë fjali ku shkëmbeheshin vota. Ishin njerëz të cilët kujdeseshin për familje të cilat janë në procese legalizimi. Nëse do të kishim përdorur shtetin nuk do të shikonim koordinatorët të luteshin, aman më shikoni kur i vjen radha kësaj shtëpie. Kështu është ky chat-i, ndryshe nga çfarë pretendon Bardhi, i cili nuk e di pse është akoma duke bërë konferenca për shtyp dhe nuk është para prokurorit duke sqaruar vrasjen e Elbasanit. Megjithatë realisht ky chat, mua më nderon shumë sepse tregon sesi punojmë ne në terren. Ne punojmë duke zgjidhur hallet e njerëzve dhe jo duke dhënë para apo duke vrarë njerëz në mes të qytetit dhe jo duke bërë gjërat që bën Bardhi dhe të gjithë aleatët e tij”, deklaroi Balluku.
Sipas Ballukut akuzat e opozitës janë për shkak të situatës ku PD gjendet sot pas humbjes në zgjedhjet parlamentare dhe disa demokratë po protestojnë para selisë blu duke kërkuar largimin e Lulzim Bashës si kryetar partie.
“Tani unë e kuptoj gjithë këtë situatë. Kjo situatë vjen për shkak se në hekurat pranë zonës së SHQUP-it ka njerëz që protestojnë sot, që kërkojnë largimin e shefit të z. Bardhi dhe si rrjedhojë edhe të z. Bardhi. Kështu që unë pres dhe histori të tjera qesharake si kjo që nxorën sot, pasi kërkojnë të tërheqin vëmendjen. Por nga ç’më rezulton mua vëmendja është totalisht tek PD sot që flasim. PS e ka kryer detyrën e saj ka fituar 74 mandate bindshëm dhe qartë. Ndërkohë që PD tani duhet të kalojë një proces të thellë reformimi”, tha Balluku.
Në lidhje me shqetësimin e ngritur për shitblerje të votës në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit dhe në raportin paraprak të OSBE/ODIHR, Balluku tha se “Bardhi dhe aleatët e tij kanë shitur dhe kanë blerë shumë vota për të thënë të drejtën”.
“Kështu që në raportin e OSBE do të dalë, siç ka dalë edhe në vitet e mëparshme. Dhe ne dimë se kush janë ata që shesin dhe blejnë vota. PS, e cila nxjerr gati 1 milion banorë që të votojnë dhe të japin vota për të, nuk shet dhe nuk blen vota sepse nuk ka votë që blihet në mbi 700 mijë vota”, tha ajo.
“Ndërkohë, unë jam shumë e bindur se ka disa ditë që e ndjek. Tre ditët e fundit, që kur të gjithë faktorët e brendshëm dhe të jashtëm të PD-së filluan të dalin të kërkojnë largimin e Lulzim Bashës dhe të stafeve të tij kemi një acarim dhe u kujtuan prapë për votat, ndërkohë që zgjedhjet janë përshëndetur nga aktorët e huaj, si kurrë më parë”, tha Balluku. /j.p/