/ATSH/ Sot është Dita Ndërkombëtare kundër Homofobisë, Transfobisë dhe Bifobisë e cila nderohet çdo vit në 17 maj.

Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Robert Gajda vlerëson përpjekjet e komunitetit LGBTI vendas për të luftuar kundër diskriminimit dhe çmon të ftojë të gjithë anëtarët e komunitetit apo/dhe shoqatat e shoqërisë civile që i përfaqësojnë t’i adresohen zyrës së KMD për çdo lloj ankesë apo shqetësimi.

“Ne do të jemi gjithmonë një derë e hapur për ju dhe për këdo që iu cenohet e drejta dhe dinjiteti njerëzor”, u shpreh Gajda.

Ambasada amerikane: Dita synon rritjen e ndërgjegjësimit për shkeljet e të drejtave të komunitetit LGBT 

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë theksoi sot se kjo është një ditë që synon të koordinojë aktivitete ndërkombëtare të cilat rrisin ndërgjegjësimin për shkeljet e të drejtave të komunitetit LGBT dhe nxisin interes mbi punën që bëhet në mbarë botën.

Ambasada e SHBA nënvizon se, këtë vit, shoqëria civile dhe organizatat ndërkombëtare në Shqipëri do e nderojnë këtë ditë nëpërmjet një sërë aktivitetesh publike që do të mbahen nga 12 deri në 31 maj 2021.

“Sot është Dita Ndërkombëtare kundër Homofobisë, Transfobisë dhe Bifobisë, një ditë që synon të koordinojë aktivitete ndërkombëtare të cilat rrisin ndërgjegjësimin për shkeljet e të drejtave të komunitetit LGBT dhe nxisin interes mbi punën që bëhet në mbarë botën. Këtë vit, shoqëria civile dhe organizatat ndërkombëtare në Shqipëri do e nderojnë këtë ditë nëpërmjet një sërë aktivitetesh publike që do të mbahen nga 12 deri në 31 maj 2021”, thuhet në një reagim të ambasadës së SHBA në rrjetet sociale, ku është publikuar edhe kalendari i aktiviteteve. /j.p/