/ATSH/ Procesi i Fiskalizimit është një reformë që Administrata Tatimore e ka nisur prej 1 janarit të këtij viti, që pritet të ketë një efekt pozitiv në të gjithë ekonominë e vendit, por veçanërisht tek bizneset, pasi shkëmbimi i automatizuar i faturës elektronike shkurton kohë dhe është më i sigurtë.
Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve, Delina Ibrahimaj në një intervistë për ATSH-në bëri të ditur se procesi po funksionon në formën e duhur dhe se gjatë të gjithë vitit 2021 administrata tatimore pavarësisht afateve ligjore, do të jetë në shërbim të tatimpaguesve, jo me qasje penalizuese, por me qasje këshilluese dhe informuese.
Në fazën e parë të Fiskalizimit, tha ajo, u përfshinë tatimpaguesit që lëshojnë fatura ndaj enteve publike. “Prej 1 janarit të këtij viti këta tatimpagues lëshojnë fatura elektronike nëpërmjet portalit Self Care që është portal i fiskalizimit apo nëpërmjet soft-eve të certifikuara. Ky proces po funksionon në formën e duhur”, u shpreh Ibrahimaj.
Sipas saj, vetëm ato fatura që janë elektronike mund të pranohen nga entet publike dhe mund të paguhen nëpërmjet thesarit.
Ndërkohë, shtoi Ibrahimaj, ka një numër të madh biznesesh të cilat ndonëse nuk kanë ende detyrimin ligjor për t’u fiskalizuar kanë zgjedhur të fiskalizohen.
Ibrahimaj shpjegoi se faza e dytë e këtij projekti madhor është data 1 korrik në të cilën në të gjitha transaksionet biznes më biznes do të duhet të jenë të fiskalizuara. “Pra të gjitha faturat e lëshuara nga një nipt drejt një nipti do të duhet të jenë fatura elektronike”, u shpreh ajo.
Ibrahimaj informoi se, është një numër i madh biznesesh që do të hyjë më 1 korrik në procesin e fiskalizimit dhe se administrata tatimore ka ndërmarrë një sërë masash dhe nismash informuese dhe trajnuese për këtë kategori subjektesh.
Faza e fundit e procesit është data 1 shtator në të cilën të gjitha transaksionet biznes me konsumator do të duhet të jenë të fiskalizuara.
“Kjo është faza finale e projektit dhe gjithashtu është faza që angazhon numrin më të madh të tatimpaguesve. Gjatë të gjithë vitit 2021 Administrata Tatimore pavarësisht afateve ligjore do të jetë në shërbim të tatimpaguesve me qëllim informimin këshillimin dhe trajnimin e tyre për të përballuar sa më mirë këtë reformë e cila sigurisht si çdo reformë ka vështirësitë e saj”, tha Ibrahimaj.
Ne, theksoi ajo, do të marrim masa që të kujdesemi që çdo tatimpagues të përmbushë detyrimin ligjor për regjistrimin në portalin Self Care për pajisjen me certifikatë elektronike, me soft të specializuar.
“Ndërkohë nëse tatimpaguesit do të kenë problematika me lëshimin e faturës për shkak të problematikave të tyre teknike, për shkak të mos njohjes së procesit, administrate do të jetë në dispozicion, jo me qasje penalizuese por me qasje këshilluese dhe ofruese të informimit dhe shërbimit. Kjo do të zgjasë për të gjithë vitin 2021”, deklaroi Ibrahimaj.
Ibrahimaj shpjegoi edhe kategorinë e biznesit që mund të përdorë portalin Self Care për lëshimin e faturave pa pagesë dhe nuk kanë detyrimin që të pajisen me certifikatë elektronike
“Pjesa më e madhe e bizneseve mikro, personat fizikë me një të vetëpunësuar dhe me një vendndodhje aktiviteti, kanë mundësinë që të përdorin portalin Sell Care për lëshimin e faturave pa pagesë dhe nuk kanë detyrimin që të pajisen me certifikatë elektronike. Pra kjo kategori biznesi është në fokus të qeverisë dhe me qëllim lehtësimin e të gjithë procedurave të tyre do të jetë mundësia që të mos blejnë një soft dhe të mos pajisjen me certifikatë elektronike që ul ndjeshëm koston e fiskalizimit”, tha Ibrahimaj. /j.p/
.



























