ATSH/ Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Taulant Balla deklaroi sot se “iniciativa për shkarkimin e Presidentit ka ardhur si nevojë për të çliruar Presidencën nga një pengmarrje, ndërsa zgjedhja e presidentit të ri do kërkojë kohën e vet”.

Në një prononcim për mediet nga selia e Kuvendit, Balla iu përgjigj pyetjes nëse ka mazhoranca një emër të ri për Presidentin.

“Rama ka qenë shumë i qartë. E nevojshme është që PS nuk e ka nisur shkarkimin e Metës si nevojë për të pasur një përfaqësues të saj, por iniciativa për shkarkimin e presidentit ka ardhur si nevojë për të çliruar Presidencën nga një pengmarrje dhe natyra për zgjedhjen e presidentit të ri do kërkojë kohën e ve dhe pse jo të mos jetë një paketë e rëndësishme me bashkëpunimin e me opozitën”, tha ai.

Ndërkohë, Balla tha se “deputetët do të marrin kohën e nevojshme për të shqyrtuar dokumentin prej 100 faqesh me argumente për shkarkimin e Presidentit, ndaj dhe kemi rënë dakord në konferencën e kryetarëve se seanca plenare për shqyrtimin e raportit dhe më pas për votimin e shkarkimit të Presidentit të Republikës të bëhet më 9 qershor, ora 10 ku kemi dakordësuar edhe kohën në dispozicion të deputetëve për diskutimin”.

“Kushtetuta është shumë e qartë dhe përcakton mënyrën e zhvillimit të kësaj seance pasuar nga rregullorja e Kuvendit. Kuvendi i Shqipërisë e përfundon procedurën e tij më 9 qershor dhe më pas, është një tjetër institucion kushtetues që është Gjykata Kushtetuese që e vlerëson nëse shkeljet e konstatuara nga ana jonë janë apo jo shkelje të rënda kushtuese që hyjnë në parashikimet e nenit përkatës të Kushtetutës për shkarkimin e Presidnetit. Nuk bëj asnjë koment për këtë çështje derisa të shprehet Gjykata Kushtetuese.
Ne kemi një Gjykatë Kushtetuese funksionale”, tha Balla.

Pyetjes nëse do ta dekretojë Meta qeverinë e re, Balla tha se “Presidenti i Republikës në fund të muajit gusht është i detyruar të thërrasë seancën e parë të Kuvendit dhe nëse nuk e bën, Kuvendi vetëmblidhet rreth datës 9 shtator dhe procedura e parë është verifikimi i mandateve, zgjedhja e kryetarit dhe e treta është votimi i përbërjes së Këshillit të ri të ministrave dhe programit”. “PS po vazhdon procesin e vet të përgatitjes për këtë mandat të ri qeverisës. Ne do të mbledhim Asamblenë Kombëtare dhe Kongresi ku do miratojmë programin e qeverisë”, tha ai./m.m/j.p/