ATSH-DPA/- Më shumë se 100 milionë bileta kinemaje mund të shiten në Gjermani gjatë vitit 2026, për herë të parë që nga pandemia e koronavirusit.

Rritja e numrit të shikuesve gjatë gjysmës së parë të vitit, së bashku me suksesin e dy filmave të rinj, “The Odyssey” dhe “Spider-Man: Brand New Day” po i japin një shtysë të madhe industrisë së kinemasë.

Gjatë gjashtë muajve të parë të vitit 2026, në Gjermani u shitën rreth 47,5 milionë bileta, ose 16,9% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, sipas Bordit Federal të Filmit (FFA).

Të ardhurat nga shitja e biletave arritën në rreth 502,2 milionë euro, duke u rritur me 24,5% në krahasim me gjysmën e parë të vitit 2025.

Shifrat pozitive vijnë pas një vere shumë të suksesshme për kinematë gjermane, e nxitur veçanërisht nga dy filma të mëdhenj të Hollywood-it: “The Odyssey”, me regji të Christopher Nolan, dhe “Spider-Man: Brand New Day”, të dy të lançuar në korrik.

“Nëse kjo tendencë pozitive vazhdon, 2026-ta mund të jetë viti më i suksesshëm për kinematë gjermane që nga pandemia”, tha Peter Dinges, drejtori ekzekutiv i FFA-së.

Sipas tij, industria e kinemasë po e pret me shumë optimizëm pjesën e mbetur të vitit.

FFA-ja tha se gjysma e parë e vitit 2026, shënoi rezultatin më të mirë të kinemave gjermane që nga pandemia e COVID-19.

Megjithatë, numri i biletave të shitura ishte ende rreth 6 milionë më i ulët se në vitin 2019, ndërsa të ardhurat ishin rreth 9% më të larta, kryesisht për shkak të rritjes së çmimeve të biletave.

Në vitin 2019, para pandemisë, në Gjermani u shitën rreth 119 milionë bileta kinemaje.

Kur koronavirusi u përhap në vitin 2020, kinematë në të gjithë Gjermaninë u detyruan të mbylleshin.

Industria e filmit pësoi një ndërprerje të paprecedentë dhe numri i shikuesve u rikuperua ngadalë në vitet që pasuan. //a.i/