ATSH/ 4 maji njihet ndryshe edhe si Dita Botërore e Melanomës, e cila synon rritjen e ndërgjegjësimin e popullatës ndaj kancerit tё lёkurёs.
Melanoma është një nga llojet më të rrezikshme të kancerit të lëkurës. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka ndarë disa nga simptomat e kësaj sëmundjeje.
“Zmadhimi ose rritja e nishanit me shumë sesa 5 mm, ndryshimi i ngjyrës ose formës së nishanit. Më të rrezikuarit janë ata që kanë lëkurë të bardhë, djegie nga dielli, ekspozim të tepruar ndaj rrezeve ultravjollcë të diellit, nishane të shumta ose nishane të pazakonta, histori familjare të melanomës, sistem imunitar të dobësuar”, thonë ekspertët e Ministrisë së Shëndetësisë ndërsa bëjnë apel për se diagnostikimi i hershëm shpëton jetë.
Nga ana tjetër, Instituti i Shëndetit Publik ka ndarë disa fakte dhe këshilla jetike për qytetarët.
Fakte rreth kancerit të lëkurës: Shkaktari parësor i kancerit të lëkurës është ekspozimi ndaj rrezeve ultravjollcë në diell. Ekspozimi i paktë ndaj rrezeve ultravjollcë është i dobishëm për njerëzit, dhe luan një rol të domosdoshëm në prodhimin e vitaminës D. Çdo vit diagnostikohen rreth 130 000 melanoma malinje në gjithë rruzullin. Ekspozimi i shpeshtë dhe djegiet e shpeshta të lëkurës nga dielli në fëmijëri mund të shkaktojnë dëmtime të pakthyeshme, të cilat më pas mund të bëhen shkak për shfaqjen e kancerit të lëkurës. Njerëzit me lëkurë të errët kanë mundësi më të pakta për shfaqjen e kancerit të lëkurës, por ata përsëri preken nga dëmtimet e shkaktuara nga ekspozimi në diell, kryesisht te sytë dhe sistemi imunitar.
Masa më e rëndësishme për parandalimin e kancerit të lëkurës është një mbrojtje efektive nga rrezet ultravjollcë.
“ Të shmanget me çdo kusht djegia nga dielli. Të qëndrohet në hije në orën 11 – 15, atëherë kur ngarkesa me rreze UV është më e madhe. Të mbahen kapelë, syze dielli dhe rroba të përshtatshme. Të përdoret krem me faktor të lartë mbrojtës. Të mos ekspozohen kurrë drejtpërdrejt në diell foshnjat deri në moshën njëvjeçare. Veçanërisht fëmijët ёshtё mirë të mbrohen nga dielli”, rekomandojnë ekspertët. /a.a/