Vitin e kaluar, sektori bankar pagoi mbi 34 milionë euro për Fondin e Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme dhe atë të Sigurimit të Depozitave

 

Ersuin Shehu

Kriza e gjatë që nisi në vitin 2008 solli një qasje universale shumë më të kujdesshme në rregullimin dhe mbrojtjen e sektorit bankar në Europë. Veç rritjes dhe shtrëngimit të mëtejshëm të kërkesave rregullatore për bankat, sidomos ato të lidhura me kapitalizimin, kriza frymëzoi edhe krijimin e mekanizmave të rinj, që nuk ishin përdorur më parë. Shembulli më domethënës ishte krijimi i një mekanizmi për shpëtimin e bankave në të ardhmen.

Një shembull të ngjashëm ndoqi edhe Shqipëria, me miratimin në fund të vitit 2016 të ligjit “Për Rimëkëmbjen dhe Ndërhyrjen e Jashtëzakonshme në Banka në Republikën e Shqipërisë”.

Fondi nisi të ngrihej në vitin 2018 dhe krijimi i tij po ecën në përputhje me ritmet e parashikuara. Fondi ka arritur vlerën e afërsisht 2.7 miliardë lekëve. Banka e Shqipërisë bëri të ditur në muajin maj se bankat tregtare kanë paguar të plotë kontributin për vitin 2021.

Ligji parashikon që deri në vitin 2027, fondi të ketë vlerën e 0.5% të detyrimeve të sektorit bankar. Mbi këtë bazë, objektivi i llogaritur nga Banka e Shqipërisë për t’u arritur në vitin 2027 është rreth 6.64 miliardë lekë. Aktualisht, objektivi është plotësuar pranë nivelit të 40%, në linjë me parashikimet e ligjit dhe rregullores përkatëse.

Banka e Shqipërisë e përllogarit çdo vit kontributin vjetor që sektori bankar do të paguajë për arritjen e nivelit të synuar të Fondit të Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme. Në parim, formula është e tillë që, barra e kontributeve të jetë e shpërndarë në mënyrë sa më të barabartë në një dekadë. Por, për shkak të rritjes së vazhdueshme të detyrimeve të sektorit bankar, edhe objektivi i synuar për në vitin 2027 ka ardhur duke u zmadhuar; kjo ka ndikuar në një rritje të lehtë dhe graduale të kontributit vjetor të bankave.

 

Burimi: ASD

 

5.4 milionë euro në vit për Fondin e Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme

Për vitin 2021, bankat paguan 664 milionë lekë, ose rreth 5.4 milionë euro kontribut për Fondin e Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme. Që nga viti 2018, kur bankat nisën të kontribuonin për këtë fond, shuma vjetore e kontributit është rritur lehtë vit pas viti, duke reflektuar rritjen e totalit të detyrimeve, që ka kërkuar edhe rregullimin e objektivit në përputhje me limitin e vendosur në ligj (0.5% të detyrimeve).

 

Burimi: ASD

 

Pagesa për Fondin e Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme është një nga zërat që, në vitet e fundit, kanë marrë peshë të konsiderueshme për bankat tregtare. Kontributi i paguar për vitin e kaluar ishte afërsisht sa 3% e shpenzimeve operative të sektorit bankar.

Fondi i Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme, ose siç njihet ndryshe Fondi i Shpëtimit të Bankave, është një mekanizëm që u krijua në vendet e Bashkimit Europian, pas krizës financiare. Kriza në fjalë kërkoi angazhimin e fondeve publike për shpëtimin e disa bankave brenda Unionit.

Me qëllim që operacione të tilla në të ardhmen të mos rëndojnë buxhetet kombëtare dhe taksapaguesit, u krijua skema e ndërhyrjes së jashtëzakonshme, sipas së cilës bankat duhet të kontribuojnë vetë për të krijuar një fond që do t’i shpëtojë, në rast nevoje, në të ardhmen.

Shqipëria nuk u përball me nevojën për të shpëtuar ndonjërën prej bankave, por mekanizmi mbrojtës u krijua edhe në vendin tonë, në modelin e praktikave të reja të rregullimit në Bashkimin Europian.

Ky fond mund të përdoret nga Banka e Shqipërisë për disa qëllime, të tilla si: garantimi i aktiveve ose pasiveve të bankës, në ndërhyrje të jashtëzakonshme, bankës urë apo shoqërisë për administrimin e aktiveve;

plotësimi i nevojës për likuiditet të bankës në procedurën e ndërhyrjes së jashtëzakonshme, bankës urë apo shoqërisë për administrimin e aktiveve; blerja e aktiveve të bankës në procedurën e ndërhyrjes së jashtëzakonshme, për të kontribuuar në kapital dhe për të siguruar fondet e tjera të nevojshme për bankën urë apo shoqërinë për administrimin e aktiveve;

kompensimi i humbjeve të pambuluara që lindin për shkak të përjashtimit të detyrimeve të pranuara të kreditorëve të bankës në ndërhyrje të jashtëzakonshme; mbulimi i shpenzimeve për administrimin e Fondit të Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme, etj.

Qëllimi i këtij mekanizmi është sigurisht një sektor bankar më i sigurt ndaj goditjeve në të ardhmen dhe besimi më i lartë i publikut në këtë sektor. Megjithatë, këto mekanizma kanë edhe një kosto. Praktikat e paskrizës që forcojnë në mënyrë drastike rregullimin e tregjeve dhe krijojnë mekanizma të rinj mbrojtës kanë sjellë kosto shtesë që, në fund të fundit, duhet të paguhen në çmimin e produkteve dhe shërbimeve bankare.

 

Fondi investohet në letra me vlerë të qeverisë

Në ligjin “Për Rimëkëmbjen dhe Ndërhyrjen e Jashtëzakonshme në Banka në Republikën e Shqipërisë”, Banka e Shqipërisë ngarkohet si Autoriteti i Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme, që ushtron të drejtat e ndërhyrjes të përcaktuara në ligj. Fondi i Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme administrohet nga Agjencia e Sigurimit të Depozitave (ASD), në përputhje me politikën e administrimit të mjeteve financiare të fondit, politikë që miratohet nga Banka e Shqipërisë. Fondi është bërë efektiv, duke filluar nga data 1 Janar 2018.

Në raportin vjetor të vitit të kaluar, ASD bën të ditur se mjetet financiare të Fondit janë investuar në përputhje me strategjinë vjetore të investimit për vitin 2020, miratuar nga Komiteti i Investimeve i Agjencisë. Më 31 dhjetor 2020, mjetet financiare kishin vlerë nominale 1.99 miliardë lekë dhe ishin të investuara të gjitha në letra me vlerë të Qeverisë Shqiptare dhe depozita njëjavore e llogari rrjedhëse pranë Bankës së Shqipërisë.

Në funksion të administrimit me efektivitet të mjeteve financiare të këtij fondi, Agjencia në përputhje me politikën e administrimit të mjeteve financiare në fund të vitit 2020 kishte 13.7% të portofolit në instrumente shumë likuide, si llogari rrjedhëse dhe depozita me Bankën e Shqipërisë dhe letra me vlerë me maturitet të mbetur deri në 90 ditë. Mjetet financiare të FNJ mbahen në masën më të madhe në lekë, ndërsa investimet në monedhë të huaj përbëjnë 6% të totalit të mjeteve financiare nën administrim. Për vitin 2020, të ardhurat nga investimi i mjeteve të Fondit ishin rreth 38 milionë lekë.

 

Burimi: ASD