Eksportet e prodhimeve shqiptare arritën rekorde historike në tre dekadat e fundit.
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Milva Ekonomi gjatë një interviste në media deklaroi se bujqësia i bëri ballë krizës që shkaktoi pandemia.
“Bujqësia ka qenë një nga sektorët që i ka bërë ballë pandemisë. Ai ka qenë sektori që ka mbajtur eksportet tona”, tha Ekonomi.
Sipas saj, edhe sipërfaqja e tokës së punuar ka ardhur në vite duke u shtuar.
“Fokusi është rritja e eksporteve, pasi kjo do të synojë të përdorë më mirë sipërfaqen e tokës, duke shtuar sipërfaqen e tokës me serra”, deklaroi ajo.
Për të rritur produktivitetin, ministrja theksoi nevojën e bashkimit të fermerëve.
“Fermerët duhet të bashkojnë punën me njëri-tjetrin. Ne duhet ta nxisim këtë gjë me incentiva. Po përpiqemi që të gjejmë një model ku fermerët bashkohen në një komunitet të caktuar”, deklaroi ajo.
Ekonomi vuri në dukje se nga pandemia u prek vetëm agropërpunimi.