Autoriteti Rrugor Shqiptar bëri të ditur sot se në kantierin e Unazës Verilindore loti i II-të q% nis nga Kthesa e Saukut deri te Bregu i Lumit filloi faza e parë e betonimit të soletës së tunelit.

“Punimet do të vazhdojnë me tre turne, pa ndërprerje, me qëllim që ky segment të jetë gati për qarkullimin e automjeteve sipas afatit të përcaktuar në kontratë”, bën të ditur ARRSH-ja.

Projekti për këtë zonë, e cila integron Shkozën me unazën e madhe të qytetit, do të plotësojë të gjitha standardet e kategorive urbane të nivelit A.

Përfundimi i këtij segmenti do të lehtësojë një herë e mirë trafikun në rrugët e kryeqytetit.
Autoritetet janë në fazën e projektimit të dy segmenteve të fundit që plotësojnë Unazën e Madhe të Tiranës: pjesën nga rrethrrotullimi “Shqiponja” te Bulevardi i Ri dhe aksin nga Bulevardi i Ri në Shkozë. Në këtë aks parashikohet të ndërtohen vepra arti dhe rrugë dytësore të cilat do të lidhin unazën me zona të tjera të kryeqytetit.

Unaza e Madhe e kryeqytetit përbën një segment prej 27 kilometrash të gjatë. Përfundimi i saj në vitin 2023 lehtëson trafikun brenda Tiranës, ndërsa e lidh kryeqytetin me të gjithë rrugët dalëse kombëtare. /j.p/