ATSH/ Inflacioni erdhi në rritje gjatë muajve prill e maj, bëri të ditur Banka e Shqipërisë.
Sipas BSH-së, norma mesatare e inflacionit shënoi vlerën 1.9% për këta dy muaj, duke qenë dukshëm më e lartë se mesatarja e tremujorit të parë.
Rritja e inflacionit pasqyroi kryesisht rritjen e çmimeve të ushqimeve dhe të naftës, ndërkohë që çmimet e artikujve të tjera të shportës nuk pësuan ndryshime të ndjeshme. Kjo dinamikë konfirmoi vlerësimet e mëparshme të Bankës Qendrore, se rënia e inflacionit në tremujorin e parë do të ishte e përkohshme.
Banka e Shqipërisë vëren se, faktorët që kushtëzojnë kthimin e qëndrueshëm të inflacionit në objektiv po vijnë drejt përmirësimit.
Sipas BSH-së, instrumenti kryesor për arritjen e objektivit të inflacionit mbetet norma e interesit të Lekut, pra politika monetare. BSH-ja, shprehet se do të vazhdojë me politikën monetare stimuluese dhe synon të arrijë objektivin e inflacionit 3%, brenda vitit 2022. /j.p/

























