ATSH/ Përmirësimi i kërkesës për kredi dhe kushtet e favorshme të ofertës, kanë sjellë një rritje relativisht të shpejtë të kreditimit.

Banka e Shqipërisë bën të ditur se, portofoli i kredisë për sektorin privat shënoi një rritje vjetore prej 7.8% në muajin maj, kundrejt një norme mesatare rritjeje prej 6.8% gjatë vitit 2020.

Sipas BSH-së, përtej rritjes së përgjithshme të portofolit, dinamikat e kreditimit mbartin sinjale të tjera pozitive. Së pari, thekson Banka Qendrore, rritja e portofolit të kredisë ka shkuar gjerësisht për financimin e investimeve të bizneseve dhe për kredi hipotekare, duke sinjalizuar rritjen e investimeve të sektorit privat dhe një situatë në përmirësim të likuiditetit të tij.

Së dyti, kredia në monedhën vendase vijon të ruajë norma më të larta rritjeje, duke u reflektuar në rritjen progresive të peshës së kredisë në lekë ndaj totalit.

Ky zhvillim inkurajues, vlerëson BSH-ja, krijon premisa për një përcjellje më të mirë të stimulit monetar dhe një rezistencë më të lartë të sistemit bankar ndaj rreziqeve të stabilitetit financiar.

Dhe së treti, treguesi i kredisë me probleme ra në nivelin 7.8% në muajin maj, duke sugjeruar një cilësi të kënaqshme të këtij portofoli.

Banka Qendrore vlerëson përmirësim e kreditimit një nga faktorët kryesorë në  rigjallërimin e ekonomisë, pas situatës që krijoi pandemia.

Sipas BSH-së, faktorët mbështetës të rritjes ekonomike kanë ardhur drejt konsolidimit. “Reduktimi i kufizimeve si pasojë e procesit të vaksinimit, përmirësimi i besimit të biznesit dhe konsumatorit, zgjerimi i kërkesës së huaj, si dhe stimuli fiskal dhe monetar, kanë gjeneruar premisat e nevojshme për një normalizim gradual të aktivitetit ekonomik dhe rritjen e saj me ritme të përshpejtuara”, thekson BSH-ja. /j.p/