ATSH/ “Falë punës së kësaj qeverie në sektorin e infrastrukturës dhe energjisë kemi krijuar kushte shumë më të qëndrueshme për zhvillimin e mëtejshëm ekonomik dhe social të vendit në dekadën ku sapo kemi hyrë, ku Shqipëria do të kthehet në eksportuese neto të energjisë”, deklaroi sot kryeministri Edi Rama.

Në fjalën përmbyllëse të mandatit të dytë qeverisës Rama theksoi se, “sot Skavica nuk është një ëndërr gjysmëshekullore në sirtar, por një projekt në zhvillim falë bashkëpunimit me qeverinë e SHBA. Ashtu sikundër po përmes këtij bashkëpunimi, jemi në fazën e vlerësimit të projektit të kthimit të TEC-it të Vlorës nga një simbol i dështimit me kosto të lartë të së shkuarës, në një portë hyrëse të gazit të lëngshëm, bazuar në marrëveshjen me kompaninë globale amerikane Exxon”.

“Kjo qeveri mundësoi dhe hapjen e rrugës së ndërtimit të dy parqeve fotovoltaike të Karavastasë dhe të Spitallës, më të mëdha në rajon, të cilat do të ndërtohen nga kolosi francez Voltalia, duke e vendosur Shqipërinë në pararojën e Ballkanit për prodhimin energjisë diellore”, tha Rama.

“Fundi i marrëzisë së vjedhjes së energjisë elektrike dhe rritja e investimeve në rrjetin e shpërndarjes së bashku me interkonjeksionin me Kosovën bëjnë që sot situata e sektorit energjetik të Shqipërisë të jetë e pakrahasueshme me atë që trashëguam në nisje të mandatit të parë”, nënvizoi Rama.

“Ndërsa programi i investimeve të futura në rrugën e realizimit gjatë këtij mandatit të dytë na jep të gjithë optimizimin e nevojshëm për ta parë Shqipërinë e 2030-ës prodhues kampion të Ballkanit në energjitë e rinovueshme”, theksoi Rama.

“Sot Kukësi është bërë më në fund me aeroport ndërkombëtar. Puna me projektin e zbatimit të aeroportit ndërkombëtar të Vlorës ka hyrë në fazën përfundimtare. Gara ndërkombëtare për aeroportin turistik të Sarandës është hapur”, tha Rama.

“Rruga e Arbrit është edhe ajo në përputhje me afatin e përfundimit. Rruga Delvinë-Kardhiq, po ashtu. Dhe me radhë se janë shumë projekte të tjera të rëndësishme të infrastrukturës sonë kombëtare, të cilat janë realizuar me standarde europiane apo vijojnë në rrugën e realizimit”, theksoi kreu i qeverisë.

“Shqipëria sot ka linjën e saj ajrore të flamurit “Air Albania”, e cila i ka rezistuar goditjes së pamëshirshme të pandemisë mbi transportin ajror dhe me daljen nga pandemia, do të hyjë në një fazë të re, rritje të numrit të avionëve të saj”, tha Rama.

Gjithashtu, shtoi Rama, “marrëveshja e investimit masiv në aeroportin “Nënë Tereza”, së bashku me uljen e konsiderueshme të tarifave skandaloze të tij, për shkak të një marrëveshje të vjetër koncesionare me ngarkesë të rëndë mbi udhëtarët do të ndikojnë fuqishëm në rritjen e fluksit të mbërritjeve në Shqipëri”.

“Shërbimi i transportit rrugor, një kancer shumëvjeçar, i trashëguar, bashkë me ish-partnerët e koalicionit të mandatit tonë të parë, janë kthyer në një prej shembujve më kuptimplotë dhe më inkurajues të  transformimit të shërbimeve publike të Republikës së Shqipërisë. E paimagjinueshme kjo deri kur u ndamë 4 vjet më parë nga ata partnerë që i kishin kthyer targat në tesera partie dhe patentat në fletë votimi për partinë”, u shpreh Rama.

Sot, theksoi kryeministri, “Shqipëria ofron një nga shërbimet më të dixhitalizuara në rajon për drejtuesit e automjeteve  dhe synon, falë një marrëveshjeje, edhe ndërtimin e një autoparku rajonal për gara të ndryshme ndërkombëtare të shpejtësisë motorike në bashkëpunim me FIA-n”.

“Edhe në aspektin e infrastrukturës kombëtare dhe të shërbimeve të transportit, i kemi sot  falë punës së kësaj qeverie të gjitha arsyet të besojmë se në qeverinë e re do të mund të hedhim hapa përpara drejt Shqipërisë të 2030-ës, ku të mos ketë më asnjë ndryshim me mesataren europiane në akset kombëtare dhe në shërbimet e lëvizjes së qytetarëve dhe të turistëve”, tha Rama. /j.p/