ATSH/ Pogradeci, një nga destinacionet më të njohura me traditë në brigjet e liqenit të Ohrit, po tërheq këtë sezon veror një numër të lartë pushuesish vendas dhe të huaj, duke u konfirmuar si një nga pikat më të frekuentuara të turizmit liqenor në vend.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga plazhet në Pogradec, ku shihen hapësira të sistemuara dhe çadra falas të vendosura në dispozicion të pushuesve.

Pogradeci ofron hapësira të lira për vizitorët, ujë të pastër dhe infrastrukturë të përmirësuar, ndërsa gjatë fundjavave frekuentimi arrin kulmin për shkak të temperaturave të larta.

Autoritetet vendore bëjnë të ditur se gjatë sezonit veror janë intensifikuar shërbimet e pastrimit, mirëmbajtjes dhe sigurisë në plazhet publike, me synimin për të garantuar kushte sa më të mira për pushuesit dhe vizitorët.

Pogradeci vijon të mbetet një nga destinacionet më të preferuara të turizmit liqenor në Shqipëri, duke kombinuar bukuritë natyrore të liqenit të Ohrit me mikpritjen, kuzhinën tradicionale dhe ofertën turistike në zgjerim.

/gj.m/j.p/