Kryetari i Partisë Socialiste dhe njëherazi kryeministri Edi Rama ka mbledhur sot në Pallatin e Brigadave dy grupet parlamentare të PS-së të mandatit të dytë qeverisës dhe të mandatit të tretë dalë nga zgjedhjet e 25 prillit.
“Uroj të keni kaluar pushime të mbara dhe të jeni kthyer me energji të reja për të nisur punë e madhe që kemi përpara në kthimin e borxhit më të madh që populli shqiptarë i ka dhënë një force politike shqiptare duke na besuar për të tretën herë radhazi privilegjin e jashtëzakonshëm për të udhëhequr Shqipërinë”, u shpreh Rama.
“Këtu sot janë anëtarë e grupit Parlamentarë të mandatit të dytë që sapo u mbyllë dhe të mandatit të tre që sapo po fillon, por ne këtu jemi dhe do të jemi një skuadër që nga Gramozi, i cili do vijojë të jetë në krahun tim të djathtë pavarësish tani më i vetëçliruar nga çdo funksion publik, pasi askujt të mos i vij keq e askush nuk e zë dot atë vend dhe deri tek deputetja me e re në këtë skuadër që do të kalojë pragun e Kuvendit të Shqipërisë. Shumë prej jush ishin dhe do të jenë sërish në Kuvend, të tjerë janë dhe nuk do të jenë në qeveri, por ne jemi një skuadër dhe ndryshimet e roleve herë pas here janë vetëm në funksion të skuadrës e cila do ja dal të jetësojë vizionin e Partisë Socialiste për Shqipërinë, duke qenë në gjendje ti fitojë betejat zgjedhore dhe të jetë vijimësisht në krye të punëve të vendit. Nuk do të jetë, asnjëherë e tepërt që të falenderoj deputetë dhe deputetë që e përfunduan punë e tyre të mandatit të dytë duke dhënë kontributin në Kuvend në periudhën e vështirësive më të jashtëzakonshme për një udhëheqje politike. Fillimisht të tërmetit tragjik dhe sidomos të pandemisë sfiduese pa llogaritur edhe kundërshtin destruktive të opozitës deri në absurd të djegies së mandateve. Një periudhë marramendës ku megjithatë puna nuk u ndërpre, uniteti i grupit parlamentar nuk u vu asnjëherë ne pikëpyetje, reformat dhe ligjet u diskutuan me seriozitet dhe u miratuan me mbështetje të plotë nga skuadra jonë në Kuvend. Gjithë ata ndër ju që nuk do të jenë gjatë mandatit të tretë në Kuvend do të kenë mundësi të përfshihen në punët e mëdha të ekzekutivit dhe të partisë të cilës duhet që paralelisht me qeverisjen ti japim një energji të re. Ti japim forca të reja në drejtim dhe frekuenca të reja më të më të larta të veprimtarisë së saj në çdo pjesë të territorit”, tha ai.
Rama shtoi se “tani nis njëkohësisht në tre hapësirat e ushtrimit të detyrave tona, Kuvend, qeveri, parti, puna e madhe për dy fitore të tjera shumë të rëndësishme në mbështetje të vizionit Shqipëria 2030, zgjedhjet vendore të 2023 dhe zgjedhjet parlamentare të 2025. Çfarë do mbjellim për ditë nga sot e deri atëherë do të korrim në ditë kur populli do të ndajë të njomët nga të thatët. Ashtu siç ishte fitorja e këtyre zgjedhjeve, ajo më e vështira sipas meje, për të gjitha arsyet që i kemi ndarë dhe shprehur më parë ashtu dhe mandati i tretë do të jetë më i vështiri në aspektin e arritjes së rikonfirmimit të Partisë Socialiste si forcë qeverisëse 4 vjet nga sot”.
“Por më shumë se kaq, mandati i tretë do jetë një sfidë shumë e madhe në vetvete sepse nëse në të parin nxorëm Shqipërinë nga gropa ku e zhytën rivalët tanë dhe në të dytin vumë themele të qëndrueshme rritje në çdo sektor, ky i treti do te jetë mandati i fillimit të ngjitjes më lartë, drejt asaj maje ku e duam Shqipërinë në fund të kësaj dekade. E lehtë ta thuash, por pa dyshim shumë më e vështirë ta bësh, e mbi të gjitha më e vështira ndër të tërat është gjetja e forcave brenda vetes, pas një fitoreje të madhe për të kuptuar se sa thelbësore është të vetëndryshosh, të vetëkorigjohesh, të vetëzhvillohesh më tej. Vërtetë kemi marr një notë kaluese për qeverisjen, përderisa rimorëm besimin e popullit për të tretën herë, si askush më parë në historinë e zgjedhjeve pluraliste, por sa më mirë akoma mund të kishim qeverisur? Sa ishin qeverisja jonë 4 vjeçare pjesë e zgjedhjes që bënë shqiptarët dhe sa ka peshuar në zgjedhjen e tyre mungesa e alternativës ndaj nesh? Sa ka qenë niveli i pranisë sonë si deputetë në komunitetet përkatëse gjatë mandatit të dytë dhe sa rol pozitiv ose jo, kishte marrëdhënia e deputetëve me komunitete për 4 vjet me radhë në votën e 25 prillit në 12 qarqe? Sa ndikim kanë pasur në ndikimin e populli ndryshimet e mëdha në ofrimin e shërbimeve publike përmes digjitalizimit dhe sa e kanë ndikuar rezultatin tonë në këto zgjedhje sjelljet e këqija, bakshishet dhe ryshfetet, qokat dhe padrejtësitë e llojllojshme administrative? Sa kanë arritur anëtarët e qeverisë të mishërojnë ambicien tonë për Shqipërinë, jo vetëm duke kryer detyra menaxheriale por dhe duke u gjendur pranë njerëzve duke ngritur nivelin e punës në administratat përkatëse duke udhëhequr sektorët me fuqinë e shembullit dhe të fjalës tyre? Po vetë organizmi i Partisë Socialiste, sa ka arritur të pastrohet nga drejtorë, shefa dhe zyrtarë të kthyer në kosto morale dhe politike për ne në sytë e komuniteti të Shqipërisë dhe kur dhe si do të shpëtojë deri në fund kjo parti nga kjo specie që shembullon me barin e keq në trajtë njeriu në oborrin e shtëpisë tonë”, theksoi Rama.
Rama: Duhet të luftojmë nepotizmin dhe klientelizmin
Kryeministri Edi Rama ndërsa pohoj se kjo është skuadra që do të drejtojë vendin në 4 vite, kërkojë angazhimin e të gjithëve për të luftuar nepotizmin dhe klientelizmin.
“Sa gjak i ri ka hyr në organizmin e kësaj partie gjatë mandatit të dytë dhe sa dhe si do ta ripërtërimë partinë më tej duke shtuar radhët, energjitë peshën e politikës në jetën e saj. Frymën e patriotizmit në qenien e saj të përditshme, vullnetarizmin për idetë dhe për qëllimet e përbashkëta në raport me peshën e kërkesës ende shumë shqetësuese për një vend pune në shtet. Këto dhe të tjera pyetje si këto ka sa të duash, kërkojnë një vështrim mbi vetveten në radhë të parë për të mundur që të rreshtojmë me objektivitet fakte të cilat edhe mund të mos na pëlqejnë fare por që mund të na orientojnë drejt në mënyrë që të përmirësohemi, të rritemi dhe të forcohemi më shumë. Dhe gjithçka nis ngushtësisht nga vetja, nga secili prej nesh këtu si individ, që duhet të kërkojë prej vetes në radhë të parë se çfarë mund të kishte bërë më mirë dhe sidomos çfarë nuk shkoi, sot do të duhej në punën e vet në katër vite, apo në perfomancën në skuadrën e qarkut ku bën pjesë për shkak të vet atij apo të asaj”.
Rama shtoi se “kjo që është sot këtu është skuadra drejtuese e Partisë Socialiste, kjo është skuadra drejtuese e vendit në 4 vite e ardhshme. Kjo është skuadra që do i jap drejtim shumë punëve që do ti gjendet dhe ti përgjigjet çdo qytetari në nevojë për të qarë një hall apo për të zgjidhur një problem. E si e tillë kjo skuadër nuk mund të jetë në lartësinë e një sfide të re dhe as të objektivave që vetvetiu vendosen përpara pasi ke arritur në një stacion të ri nëse nuk lufton përditë me sjelljet e veta të vjetra brenda vetes së vet. Duhet të përgatitemi të gjithë për operacione të reja dhe të vështira, për vendime jo të lehta, për punë aspak të lehta”.
“Do të jenë të gjithë të gatshëm për të hequr dorë nga lojëra të vjetra dhe të dëmshme individuale në dëm të qëllimeve, në dëm të punës, në dëm të imazhit të Partisë Socialiste. Duhet të jenë të gjithë të angazhuar që jo vetëm ta luftojmë por secili ta luftojë nepotizmin dhe klientelizmin. Duhet të gjithë ta ngulin mirë në kokë që ndërhyrjet për të mbajtur në punë individ të paaftë, ndërhyrjet për të futur në vende të caktuara punë njerëz që nuk e meritojnë të punojnë për shtetin shqiptar, të përfaqësojnë PS, apo ndërhyrjet për çështje tenderash apo vendimmarrjesh me natyrë materiale, janë armiqësore me qëllimet e të gjithë atyre që na dhanë besimin e jashtëzakonshëm për të drejtuar vendin”, theksoi ai Rama.
Rama tha se “janë të papajtueshme me rritjen e domosdoshme morale të kësaj force të madhe të shqiptarëve. Janë të neveritshme në raport me nderin e jashtëzakonshëm të përfaqësimit të një populli të tërë në rrugën drejt së ardhmes në nivelin më të lartë të përfaqësimit, që ka një popull dhe janë tradhtia më e madhe e të gjithë fëmijëve që ka vendi”.
Rama: Kjo parti nuk do të jetë kurrë streha e atyre që ekspozohen nga organet e drejtësisë si përfitues të paligjshëm të të mirave publike
“Duhet të jetë për të gjithë ne. Kush e ka në ballë logon e PS dhe ekspozohet nga organet e drejtësisë si ndikues apo përfitues i paligjshëm të mirash publike faji është i tij, por turpi është i të gjithëve ne nëse nuk e vendosim të qartë dhe të drejtë vijën e kuqe. Duke mos harruar për asnjë çast dhe duke e bërë me dije menjëherë ku është nevoja, se kjo skuadër nuk do të jetë kurrë as streha as mburoja e askujt që me veprimet e veta cenon qëllimin dhe emrin e PS-së. Kjo parti si çdo familje, si çdo organizatë, çdo bashkësi e caktuar njerëzish nuk mban përgjegjësi, pse një individ shkel mbi flamurin e saj të vlerave dhe parimeve, por ama mbanë të gjithë përgjegjësinë për sa drejt dhe sa vendosmërisht reagon ndaj individit në fjalë duke u distancuar prej aktit të tij apo prej atij vetë kur në mes hynë vetë drejtësia”, theksoi Rama.

























