Ministrja e Arsimit, Evis Kushi, vizitoi sot disa shkolla të ndryshme të Tiranës për të parë nga afër masat e ndërmarra në prag të nisjes së mësimit plotësues më datë 1 shtator.
Ministrja u ka bërë apel të gjithë arsimtarëve të pavaksinuar deri më tani që t’i bashkohen sa më parë muajit të hapur të vaksinimit masiv, në mënyrë që të kemi një vit shkollor të mbarë dhe të sigurt.
Kushi u shpreh e kënaqur që pjesa më e madhe e mësuesve në të gjithë Shqipërinë tashmë janë vaksinuar me të dyja dozat, “gjë që siguron qetësi dhe siguri në rifillimin e mësimit në kushte normale”.
Kushi u zotua se qeveria do të angazhohet që brenda këtij mandati të ardhshëm të garantojë që në gjithë vendin të mos ketë më shkolla që zhvillojnë mësim me dy turne.
“Për fat të keq kemi akoma shkolla me dy turne. Brenda këtij mandati 4-vjeçar do përpiqemi mos kemi më asnjë shkollë me dy turne në gjithë vendin”,- tha Kushi.
Deri tani janë inspektuar disa nga shkollat më të mëdha, ndërkohë që edhe në vijim këto inspektime do të vazhdojnë për të parë nga afër ambientet shkollore, kushtet higjieno-sanitare, si dhe masat e nevojshme për mbrojtjen nga virusi Covid-19.

























