Anëtarë të Gardës Kombëtare të New Jersey udhëtuan në Shqipëri këtë javë për të kryer fluturime simuluese me Sistemet Ajrore pa pilot PUMA të sapoblera.
Ambasada e SHBA-së në Tiranë bën të ditur se, PUMA-t iu dhanë Forcave të Armatosura Shqiptare si pjesë e mbështetjes së Shteteve të Bashkuara ndaj Batalionit të dytë të Këmbësorisë.
“Ushtarët e Gardës Kombëtare të New Jersey kanë kaluar javën duke ofruar mbështetje për kolegët ushtarakë shqiptarë me inventarin, mirëmbajtjen dhe trajnime mbi pajisjet e reja”, njofton Ambasada e SHBA-së, teksa informon se një nga ushtarakët e Gardës Kombëtare të New Jersey, Togerja e Parë Çollaku, ka lindur në Shqipëri dhe është transferuar në New Jersey kur ishte adoleshente.
“Ajo tani është Oficere e Ushtrisë dhe ky program partneriteti ndërmjet shteteve është veçanërisht domethënës për të, pasi kthehet në Shqipëri”, vijon njoftimi i Ambasadës së SHBA-së në Tiranë.

























