Shqipëria siguron një fitore të rëndësishme ndaj një kundërshtari dinjitoz si Hungaria, dhe rihap garën për kualifikim. Kuqezinjtë aktualisht renditen të dytët në grup pas Anglisë dhe ndeshjen e radhës e kemi ndaj një kundërshtari modest si San Marino.
Kjo fitore erdhi ditën që u kthyen në stadium dhe tifozët të cilët ishin të shumtë në numër dhe mbështetën skuadrën në ‘Elbasan Arena’ për 90 minuta.
Goli erdhi nga 19 vjecari Armando Broja në minutën e 87 i cili pas një aksioni insistues shënoi me një gjuajtje jashtëzakonisht të fortë në shtyllën e parë duke mposhtur dhe portierin kundërshtar
Këtë herë në minutat e fundit Shqipëria gëzoi dhe nuk u hidhërua siç i kishte ndodhur shpesh kur pësonim gol.
Kjo fitore është dhe historike pasi Shqipëria nuk kishte fituar kurrë ndaj Hungarisë. Në histori hyn edhe 19 vjeçari Armando Broja pasi shënoi për herë të parë kundër Hungarisë që nuk i kishim bërë gol asnjëherë.
Ndeshja ishte e vlefshme për eliminatoret e botërorit që do të zhvillohet vitin tjetër në Katar. Shqipëria nuk ka marrë pjesë kurrë më parë në finalet e një kampionati botëror.

























