Ndonëse sot mbeti zyrtarisht jashtë grupit parlamentar të PD-së, sërish Sali Berisha nuk tërhiqet. Në një intervistë në televizionin e familjes së tij, Berisha rendit 3 arsye pse, sipas tij, ai vijon të jetë pjesë e grupit parlamentar të PD.

Sipas ish-kreut të të djathtës, ka një ligj që përcakton se kur një deputet nuk është anëtar i forcës së vet politike, ai e ka kandiduar në zgjedhje si deputet i PD e jo i varur dhe KQZ ja ka lëshuar mandatin si deputet i PD, ndërsa arsyen të tretë Berisha rendit faktin se Basha e shpalli vendimin në një deklaratë televizive “duke shkelur çdo nen të statutit të PD”.

“Unë jam anëtar i grupit të PD. Pavarësisht nga burokracia, por ka një ligj, i cili përcakton se kur deputeti nuk është anëtar i forcës së vet politike. Pse jam anëtar i grupit parlamentar të PD? Sepse unë kam kandiduar për PD dhe jo si i pavarur. Së dyti, KQZ e ka lëshuar mandatin e Sali Berishës si deputet i PD. Së treti, zoti Basha ka shpallur një deklaratë televizive, duke dhunuar çdo germë, çdo nen, çdo fjalë të statutit të PD. Unë nuk kam asnjë vërejtje për mendimin e tij personal, por ky mendim është nul nëse nuk votohej minimumi në Këshillin Kombëtar ku duhet miratuar me dy të tretat”, tha Berisha.

Katër ditë më parë, Basha doli me vendimin për përjashtimin nga grupi parlamentar të Berishës, pas presionit të SHBA që ai të mos ishte në Kuvend sepse u shpall ‘non grata’ si minues i demokracisë. Ditën e sotme vendimi i Bashës u zyrtarizua, teksa PD regjistro në Kuvend 44 deputetë si pjesë të grupit të saj parlamentarë. 7 anëtarë nga lista e PD janë pjesë e grupit të PR, 7 të tjerë janë pjesë e listës së PDIU, që në total bëjnë 58 deputetë. Ndërkohë PD në zgjedhje mori 59 mandate.

Megjithatë, Berisha sërish nuk u dorëzua, teksa i dërgoi Kuvendit një letër ku thuhej se ai është pjesë e grupit parlamentar të PD-së.

Pas përjashtimit të tij nga grupi parlamentar i PD-së, Berisha ka nisur një ‘luftë’ me Bashën duke mos kursyer akuzat e shumta ndaj tij.