Kryeministri Edi Rama erdhi në seancën plenare në Kuvend pas kërkesës së deputetëve të Partisë Demokratike se kryeministri duhet të ishte në seancë gjatë fjalës së kryetarit të PD-së. “Në këtë rregullore nuk shkruhet në asnjë rresht që asnjë deputet apo deputete përfshirë dhe mua, ka detyrimin të qëndrojë në sallë kur për një arsye apo një tjetër nuk mund të jetë në sallë”, u shpreh Rama.
“Së dyti, dëgjon e gjithë qeveria dhe sigurisht që një debat i zgjatur me aq shumë orë sa është kërkuar, normal nuk mund të jetë një debat i ndjekur nga të gjithë. Por ama gjithçka që thuhet këtu dhe që ka interes për ne shënohet dhe analizohet më pas”, tha Rama.
“Së treti, unë nuk u largova, ose më saktë nuk erdha në orën 4 për shkak të ngarkesës së punës, si rezultat i faktit që pasnesër duhet të largohem për shumë ditë relativisht dhe për këtë arsye, janë shumë detyra për t’u ndjekur. Megjithatë kur mora mesazhin nga kryetarja që ju kishit ngritur çështjen që unë të jem i pranishëm këtu gjatë fjalës së kryetarit të PD-së, unë thashë që do vij në orën 5. Dhe me idenë, që përderisa ishte e nevojshme prania ime, kur flet kryetari i PD, atëherë do vazhdonit me pjesën tjetër dhe në orën 5 unë do isha këtu, kryetari do merrte fjalën dhe unë do të plotësoja dëshirën e tij dhe tuajën që të isha i pranishëm, pavarësisht shtrëngimit në kohë.
Rama theksoi se, “me të keq, me akte që vënë përpara forcën fizike, përdorimin e trupit si pengesë, me ne as nuk keni fituar asnjëherë dhe as nuk do të fitoni asnjëherë”. “Prandaj ja ku jam i gatshëm të dëgjoj kryetarin e PD dhe t’i qëndroj 100% të gjitha atyre që thashë sot”, u shpreh Rama.
Më herët, kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla dha dy herë nga 15 minuta pushim pasi grupi parlamentar i PD-së kërkoi praninë në Sallë të kryeministrit Edi Rama. Kryetari i PD-së, Lulzim Basha që duhej të merrte fjalën i pari ia la radhën nënkryetares Tabaku.

























