Roli i NATO-s në rajon, ka qenë sot fokusi i takimit të anëtarëve të Këshillit Rinor të Ambasadës së SHBA në Shqipëri të cilët u mblodhën në Këndin Amerikan të Vlorës për një seminar të Maratonës së Lidershipit.

Ambasada e SHBA-së në Shqipëri njofton se “Juxhina Gjoni, nga zyra e Shoqatës Rinore të Traktatit Atlantik (YATA) në Shqipëri foli për rolin e NATO-s në rajon dhe se si programet rinore po ndihmojnë në mbështetjen e qëllimeve dhe misionit të NATO-s”.

Trajnimi vazhdoi me një sesion mbi ndikimin e mediave sociale në jetën tonë dhe se si ato rrisin aktivizimin dhe angazhimin qytetar mes të rinjve.

Dritan Mezini, një alumni i Fulbright dhe një sipërmarrës i suksesshëm, foli me grupin për lidershipin e të rinjve në sipërmarrje dhe inovacion.

Anëtarët gjithashtu punuan në aktivitetet e tyre të ardhshme dhe planet e tyre strategjike vjetore.