/ATSH/ Kryeministri Edi Rama shprehu bindjen sot se me ndërtimin e impianteve të përpunimit të mbetjeve është bërë një hap shumë i madh përpara për ta pasur Shqipërinë një vend të pastër.

Në përgjigje të replikës së kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha në Kuvend, kryeministri Rama tha se “ato investime janë bërë pikërisht për të mos lejuar që të vazhdojë të ushqehet kanceri që latë ju, në të gjithë territorin me qindra e qindra vend hedhje mbeturinash ilegale, pranë lumenjve, tokave të bukës që janë helm.

“T’u japësh njerëz alternativën e helmit se do të bësh luftë politike, mund ta bësh por kjo është prapë një arsye pse humbet. Patjetër që po bashkitë sot në të gjithë Shqipërinë kanë në dispozicion pikat fundore që janë ose impiante të përpunimit të mbetjeve, ose landfillet e investuara . Janë të detyruara që mbetjet ti çojnë atje, që të mbyllet një histori e madhe, e pështirë e helmit në mjedis, por dhe një histori tjetër që është bashkëshoqëruese e saj, historia e abuzimit”, nënvizoi Rama.

Kreu i qeverisë bëri të ditur se “ka abuzim shumë të madh historik me sasitë e mbetjeve, Lulzim dhe ti e di shumë mirë këtë se je marrë me sharrën për një kohë të gjatë dhe ke pasur partneritet PPP të pashpallur për mbetjet. Megjithëse ti nuk merresh me shifrat janë të tjerë që merren me shifrat për ty. Por,  normalisht po ti pyesësh ata do të thonë kështu është, Prandaj përqendrohu kur flet, më flet mua për llumin e tranzicionit dhe tani ke filluar këtë fjalinë e bukur që edhe PD-ja ka pjesën e vet të llumit”.

“Lulzim nëse PD-ja ka pjesën e vet të llumit, unë fjalën llum se kam përdorur ndonjëherë as për PD-në, por nëse ka pjesën e vet të llumit, ajo pjesa e llumit të ka nxjerrë ty Lulzim, ti je pjella më e brilantinosur e atij llumi. Kështu që kujdes se nuk e kam fare për të mbajtur me gajret foltoren. Foltorja është gajreti i Shqipërisë, çfarë do të bëj unë foltorja është një gajret aq i madh për Shqipërinë, sheh Shqipëria e mban brinjët me dorë me foltoren”, tha Rama.

Më tej Rama u shpreh se “trego që je realisht i distancuar mos shpif si llumi, mos merr njerëzit në goje si llumi mos ji karikaturë e llumit. Ti ke sfidën më të madhe se megjithëse ai llum të nxori në krye ti je diçka tjetër ti duhet të rilindësh, ne dimë si shkohet drejt rilindjes, ki mirëbesim”.

Duke folur për vetingun, Rama tha se “e kuptoj se ku e ke hallin me atë vetingun tënd. Është gjetje e lodhur, se nuk ta beson njeri ty. Megjithatë nuk dua ta diskutoj, i qëndroj parimit që kam thënë. Hajde ta diskutojmë siç meriton të diskutohet, me ekspertët tanë dhe tuaj, si doni ta bëni, mbi cilat praktika të mira ndërkombëtare bazohet, në cilat vende ka treguar se ka sukses, çfarë thonë partnerët tanë, nëse ne na del që kjo nismë është shpëtimtare për vendin, patjetër që ne do ta votojmë, nëse rezulton se kjo nismë është komardare si ato të fëmijëve që fryhen me gojë për të bërë sikur notojnë në formë peshkaqeni, atëherë ne do themi Lulzim vazhdo vëlla, bëj rolin e peshkaqenit të gomës që të mbrohesh nga peshkaqeni i foltores, nuk është puna jonë kjo. Thjesht ta ndajmë këtë, ju keni ekspertë plot, ne kemi disa, e shohim e diskutojmë, patjetër çdo gjë që i shërben interesit të përbashkët të vendit, ne na keni pro, çdo gjë mban pastaj era foltore ne na keni kundër”.

/k.s//a.a/