Me një fond prej 702 milionë lekë, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural bën të ditur se, do të realizojë investime të prekshme në përmirësimin e infrastrukturës së flotës së peshkimit dhe të akuakulturës.
Vëmendje të shtuar do të marrin investimet në ndërtimin e dhomave frigoriferike dhe të merkatove të reja të peshkimit sipas standardeve më të mira.
Ndërkohë që mbështetja për sektorin e peshkimit, do të vijojë nëpërmjet një sistemi fiskal të lehtësuar, ku TVSH-ja është zero për 27 zëra doganore të peshkimit, që nga rrjetat e peshkimit, motorët etj.
MBZHR synon rritjen e kuotave të eksporteve drejt BE-së për açugen e përpunuar.
Krahas mbështetjes me fonde të buxhetit të shtetit, industria përpunuese e peshkimit do të jetë pjesë edhe e programit IPARD III me 146 milionë euro me qëllim forcimin e infrastrukturës portuale përmes investimeve në infrastrukturën portuale të peshkimit dhe akuakulturës dhe nxitjes së kultivimit të troftës, që është mjaft e kërkuar nga tregjet e huaja.
Në 9-mujorin e vitit 2021 eksportet e produkteve të peshkut janë rritur me 29,5 %.
Rritja e eksporteve në këtë segment erdhi pas zgjerimit të investimeve, falë mbështetjes së programeve që adresoi qeveria për financimin e industrisë së peshkut.
Sot eksporti i peshkut ka shënuar një rritje të shumëfishtë. Në krahasim me 2013-ën eksportet janë rritur 4 herë më shumë. Në 2013 u eksportuan 1705 tonë, ndërsa në 2020 8219tonë. /a.a/

























