ATSH/ Në 28 nëntor do të nisin punimet për Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës.
Kështu deklaroi sot në Kuvend, kryeministri Edi Rama gjatë prezantimit të buxhetit 2022.
“Ftoj deputetët e Vlorës të na bashkohen në fillimin e punës në hapjen e kantierit pa dallim Partia Socialiste apo Partia Demokratike, sepse është një ngjarje e rëndësishme dhe fundi i një kalvari të gjatë disavjeçar për disa arsye që nuk vareshin nga ne”, tha Rama.
Duke e konsideruar turizmin një shtyllë të paluajtshme të zhvillimit ekonomik, Rama tha se “me turizmin do vazhdojmë të kemi rritje, por kemi sfidën që rritja të mos të jetë rritje në numër, po të jetë një rritje shumë më e lartë në të ardhura pavarësisht numrit. Sot ne kemi një turizëm, i cili bazën e ka turisti me të ardhura mesatare dhe të ulëta, ndërkohë që turisti me të ardhura më të larta që është edhe konsumatori më i madh, që është edhe krijuesi më i madh i zinxhirit të vlerës për ekonominë e vendit është ende shumë pak prezent”.
Sipas tij, për këtë do të vlejnë të gjitha projektet që janë në rrugën e nisjes.
Rama bëri të ditur se “po ashtu brenda pak javësh fillon puna për portin turistik të Vlorës, investim që do ta çojë në një nivel tjetër pikërisht këtë kuadër për të cilin fola, do të kemi jo vetëm turistin edhe me të ardhura të mesme e të ulëta, por edhe turistin me të ardhura të larta. Do të krijojë një zinxhir të ri vlere në ekonominë e qytetit të Vlorës, por edhe me një impakt në ekonominë kombëtare”.
Më tej Rama theksoi se “uroj ta përfundojmë lidhjen e kontratës për portin turistik të Durrësit brenda vitit dhe aty të ngrihet kantieri për fazën e parë. Në Sarandë puna për portin e ri ka filluar dhe gara ndërkombëtare për aeroportin turistik të Sarandës është e hapur”.
Për kryeministrin Rama të gjitha investimet në infrastrukturë që janë në vazhdim, synojnë jetësimin e të gjitha pikave ku potenciali turistik është i lartë qoftë në bregdet dhe në zonat malore.
Një tjetër projekt që do të bëjmë, tha Rama, është edhe aksi i rëndësishëm që i shërben turizmit e çdo gjëje nga Muriqani në Milot, Kashar, Rrogozhinë dhe Fier, që do të nisë së shpejti.
“Ky projekt do të jetë aty siç kanë qenë aty, prej atyre që fillojnë me do të, se fillon ëndrra pastaj vjen projekti, pastaj realizimi. Por kush nuk ëndërron nuk e kupton se ndodh ky proces. Kur shikon ëndrra vetëm në gjumë nuk e kupton se realiteti e gjumi nuk kanë lidhje me njëri-tjetrin”, -tha Rama.
/k.s/j.p/


























