/ATSH/ Në sheshin “Skënderbej” u çel sot ekspozita e hapur “Në emër të Amerikës”, në përkujtim të 75-vjetorit të largimit të Misionit Amerikan nga Shqipëria dhe persekutimit të shqiptarëve që e mbështetën.
Ekspozita është e pajisur me fotografi dhe dokumente të panjohura si dhe lista të të dënuarve. Ajo është përgatitur nga studiuesit dhe historianët Kastriot Dervishi, Artan R.Hoxha, Brisejda Lala.
Ekspozita u vizitua edhe nga ambasadorja e SHBA-ve në Tiranë, Yuri Kim, e cila mbajti edhe një fjalë të rastit.
“Zakonisht mund të duket e çuditshme që një ambasadore të marrë pjesë në një ngjarje që shënon mbylljen e një ambasade të SHBA. Por kjo e sotmja është ndryshe. Historia mes SHBA dhe Shqipërisë është unike dhe është kjo gjë që e sjell gjithë ndryshimin. Të gjithë jemi në dijeni për kohët e vështira që detyruan ambasadën tonë të mbyllej, që i detyruan njerëzit tanë të ndaheshin dhe gjithashtu që e detyruan popullin shqiptar të izolohej”, tha Kim.
“Në fakt ky vit shënoi dhe 30-vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe SHBA-ve, të cilin e kemi festuar këtë vit duke vënë në pah momentet kryesore të kësaj marrëdhënieje mes vendeve tona. Të gjithë jemi në dijeni për fillimin e këtyre marrëdhënieve, në kohën që po binte perandoria otomane dhe të gjithë fuqitë e mëdha menduan që të mund ta ndanin Shqipërinë mes veti”, u shpreh Kim.
“Si amerikane ndihem shumë krenare që ishte presidenti ynë, presidenti Wilson, i cili tha Jo. Shqipëria është një vend, Shqipëria është një komb dhe meriton të jetë e pavarur, meriton të jetë e lirë”, theksoi Kim.
“SHBA-të në fakt nuk janë lëkundur kurrë nga ajo pozitë. Ne besonim që ju e meritonit të ishit një vend i lirë, të ishit një vend i pavarur sepse ju jeni miqtë tanë, jeni partnerët tanë. Dhe pavarësisht se çfarë mund të ndodhë, brenda apo jashtë Shqipërisë, kjo pozitë nuk ka për të ndryshuar”, nënvizoi Kim.
“Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore në 1945, një mision vëzhguesish amerikanë ishte dërguar në Tiranë për të shqyrtuar mundësinë e rifillimit të marrëdhënieve diplomatike që qenë ndërprerë nga Lufta e Dytë Botërore. Por qeveria komuniste i sulmoi anëtarët e misionit aq ashpër saqë ata u larguan në nëntor të vitit 1946, duke mos rivendosur asnjë lidhje. Diktatura komuniste filloi ta mbyllte vendin dhe të shtrëngonte kontrollin e saj, duke mbyllur kufijtë dhe duke ndërtuar qindra bunkerë të panevojshëm për të shmangur pushtimet imagjinare”, tha Kim.
“Kjo është arsyeja pse kemi këtë kjo ekspozitë sot, sepse komunistët nuk ishin thjesht të kënaqur me mbylljen e vendit, por ata gjithashtu dëshironin ta mbyllnin atë fizikisht dhe shpirtërisht. Ajo që ndodhi ishte që me qindra persona filluan të persekutoheshin. Kjo ndodhi me persona të cilët kishin pasur marrëdhënie me misionin e SHBA me organizata ndërkombëtare. Me persona të cilët kishin parë se çfarë ishte bota e jashtme. Kështu që ata nisën të persekutonin njerëzit, duke i dërguar ata në kampe përqendrimi. Është histori persekutimi dhe brutaliteti, por gjithashtu edhe historia e dinjitetit dhe qëndresës. Është e rëndësishme të kujtojmë që kjo nuk është një histori e vdekur, kjo është një histori e gjallë”, u shpreh Kim.
“Liria dhe demokracia që mund të kemi sot, mund të mos jetë e plotë, mund të mos jetë e përsosur , por është e rëndësishme të kujtojmë që ajo është blerë përmes gjakut, përmes mundit, përmes djersës të gjithë atyre personave që luftuan dhe punuan, të paraardhësve tuaj. Ajo është një gjë e çmuar dhe të gjithë ne duhet ta mbrojmë atë”, deklaroi ambasadorja Kim. /j.p/


























