Kryeministri Edi Rama u prit sot në një takim në Campidoglio, Romë, nga kryetari i ri i bashkisë, Roberto Gualtieri.

Kryeministri Rama shoqërohej në këtë takim nga ministrja e Kulturës, Elva Margariti, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj etj.

Kryebashkiaku i Romës, Roberto Gualtieri vlerësoi fillimisht bashkëpunimin dhe miqësinë mes dy vendeve.

“Është kënaqësi dhe një nder për mua të mblidhemi këtu në kryeqytetin e Italisë, si një administratë e re, se bashku me përfaqësues, bashkëpunëtorë dhe njerëz që punojnë me ne, në marrëdhëniet ndërkombëtare në kabinetin tonë”, tha kryebashkiaku i Romës.

“Jam shumë i kënaqur që zgjodhët të vizitoni Romën, kryetarin dhe administratën e saj në një ditë kaq të rëndësishme institucionale të qeverisë italiane, në kuadër të një partnershipi dhe miqësie që është solide, me përvojë, dhe e pasur për një perspektivë në të ardhmen”, tha ai.

Kryebashkiaku i Romës theksoi se, “qeveria italiane, gjithë Italia, mbeten miq të Shqipërisë. Qeveria gjithashtu e mbështet atë në procesin e integrimit evropian, një perspektivë e zgjerimit të BE-së. Kemi kënaqësinë për të diskutuar perspektivën e dialogut për bashkëpunimin edhe në nivel digjital, administrativ. Gjithashtu eksperienca e jashtëzakonshme e kryeministrit Rama si kryetar bashkie, i cili mund të na jap ndonjë këshillë nga ana e tij”.

Kryebashkiaku Gualtieri tha se Roma është e interesuar të bashkëpunojë me Tiranën sidomos vitin që vjen kur Tirana do mbajë titullin “Kryeqyteti Evropian i Rinisë”.

“Roma është e gatshme për të bashkëpunuar ngushtësisht dhe miqësisht me Tiranën dhe gjithë Shqipërinë për shumë tema të përbashkëta, duke nisur nga viti i Rinisë që do keni dhe për të përballuar së bashku sfida të mëdha të qëndrueshmërisë, inovacionit, rigjenerimit urban, ku di që janë ndërmarrë projekte të rëndësishme, për sa i përket aspektit social, për dialogun kulturor mes popujve, mes qytetarëve dhe mes qyteteve”, nënvizoi Gualtieri.

Nga ana e tij, Kryeministri Rama shprehu interesin për të forcuar bashkëpunimin me bashkinë e Romës.

“Roma është kryeqyteti i Italisë, por për ne është edhe kryeqyteti i tokës së premtuar. Ndaj është vërtetë privilegj të vizitoj zyrën tuaj dhe t’Ju takoj personalisht. Nga ana tjetër jemi këtu, sepse duam dhe jemi shumë të interesuar për të forcuar bashkëpunimin me bashkinë e Romës si në nivel kombëtar, dhe në nivel bashkiak, me Tiranën”, tha Rama.