Investimi në blegtori po shndërrohet në përparësi për shumë banorë të zonave rurale, të cilët falë edhe mbështetjes financiare që adreson qeveria në këtë sektor, po shtojnë tufat dhe angazhojnë forca të reja në punë.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca solli në vëmendje historinë e Marjanës dhe Hysenit, nga Gumenica e Vlorës, që janë të lidhur fort me blegtorinë dhe duan ta zhvillojnë më tej këtë biznes.

“Një histori që nis pas viteve ’90, kur ky zanat u bë angazhimi kryesor i çiftit nga Gumenica e Vlorës”, u shpreh Krifca.

Ministrja tha se, e nisën me 30 krerë e sot kanë 400 krerë të imta në tufën e tyre.

Ata kanë marrë mbështetje nga Skema Kombëtare, si dhe të gjitha vaksinat falas për blegtorinë, duke siguruar shëndet të mirë të tufës në fermën e tyre.

Krifca bëri të ditur se, “qumështin e dorëzojnë në pikat e grumbullimit. Ndërsa kanë angazhuar edhe të birin në veprimtarinë e tyre dhe kanë fokusin e qartë të përmirësimit të punës dhe shtimit të rendimentit të prodhimit”.

Investimi në blegtori përbën përparësi për shumë banorë të zonave rurale, të cilët e
shohin atë si gjeneruese të të ardhurave. Blegtoria ka gjithashtu rëndësi tradicionale
dhe kulturore. Ekspertët e fushës vlerësojnë se, racat autoktone dhe varietetet tradicionale përbëjnë një trashëgimi gjenetike të rëndësishme dhe të vlefshme.