Kryeministri Edi Rama në prezantimin e buxhetit 2022 për Shëndetësinë u shpreh se, kantieret e reja në shëndetësi do të mbulojnë infrastrukturën më kritike të sistemit.
“Sot jemi në kushtet kur po rindërtojmë dhe po zgjerojmë plus një sistem pajisjesh të fjalës së fundit, struktura shumë kritike të sistemit tonë, Spitalin Infektiv, Spitalin e ri të sëmundjeve të brendshme, Spitalin e Pediatrisë, Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut, Maternitetin “Mbretëresha Geraldinë”, Spitalin Pediatrik në Elbasan, Spitalin Rajonal në Kukës së bashku dhe me maternitetin atje”, tha Rama.
“Të gjitha këto kantiere, që janë në proces ose janë drejt përfundimit, do të shtojnë një fuqi të re të sistemit. Dhe patjetër nuk do ta përmbushin të gjithë nevojën për fuqi të sistemit, sepse ka akoma pjesë të tjera për të shtuar, por do të mbulojnë faktikisht të gjithë infrastrukturën më kritike të sistemit”, tha Rama.
“Tani a janë shumë 8 vjet për t’i bërë të gjitha këto? Varet sesi e shohim. Po nëse 25 vjet nuk ishin shumë dhe në 25 vjet jo që nuk u shtua gjë e qëndrueshme, por u shtua vit pas viti ndjesia e ecjes symbyllur dhe e degradimit, në 8 vjet vendosja e gjithë këtyre bazave të rëndësishme për sistemin besoj që tregojnë për një maksimizim të kohës”, theksoi Rama.
“Për të ardhur tek eksperienca e Spitalit Memorial të Fierit, që është një eksperiencë e re në të gjitha aspektet, por që është njëkohësisht një eksperiencë përtej Spitalit Memorial të Fierit. Ai spital është i destinuar që të jetë një pikë e patundshme referimi për cilësinë më të lartë të shërbimit. Por përtej shërbimit që ai do të ofrojë është edhe një hap i parë për autonominë spitalore, për të kaluar në një fazë të re duke i dhënë një energji më shumë gjithë sistemit dhe duke filluar të futemi në një rrugë ku performanca e çdo mjeku, apo e çdo pjese tjetër të personelit, do të jetë kriter bazë, mbi rrogën bazë. Pra, për të shkuar në një fazë ku mjekët të mos paguhen të gjithë njësoj, sado që të rriten pagat. Kryeinfermierët të mos paguhen të gjithë njësoj, infermierët të mos paguhen të gjithë njësoj, por të fillojë pjesa tjetër që mbi rrogën bazë të fillojnë pagesa të ndryshme. Sipas kontributit, sipas performancës”, theksoi Rama.
Natyrisht, shtoi Rama, “është diçka që mund të ishte bërë shumë kohë më parë. Po pse nuk u bë shumë kohë më parë? Për të njëjtën arsye që shumë kohë më parë nuk u arrit as të furnizoheshin spitalet me ilaçe; për të njëjtën arsye që shumë kohë më parë nuk u arrit të ndërtohej një banjo e një pavijoni, e denjë për një pavijon spitalor; të ndërtohej një dhomë mjekësh. Një, jo shumë, jo me kontribute vullnetare të vetë mjekëve për ta sistemuar, po të ndërtohej një dhomë mjekësh me standarde profesionale dhe me të gjitha kriteret që tregojnë respektin për figurën e mjekut. Për të njëjtën arsye që mund t’i marr me radhë të gjitha dhe faktikisht u humb shumë kohë dhe nuk u bë një protokoll. Një protokoll i unifikuar, e jo më një sistem i tërë protokollesh, sepse nuk mund të bësh dot protokolle dhe sistemin e protokolleve pa ndërtuar spitalin që të quhet spital, jo stacion treni me dhoma ku rezistojnë heroikisht disa njerëz me bluza të bardha të kërcënuar nga të 4 anët anët nga lloj-lloj pasigurish dhe nga lloj-lloj presionesh dhe të pambështetur nga askush”.
“Kalimi në këtë fazë do të jetë vendimtar për ta çuar pastaj shërbimin tonë mjekësor në një nivel që të mos ketë asnjë problem cilësie në raport me vende të tjera, deri në pikën ku pastaj fillojnë ato ndërhyrjet e super specializuar që janë një temë tjetër e të ardhmes”, tha Rama.
“Paralelisht me këtë po bëjmë një përpjekje të përbashkët me Universitetin e Mjekësisë, me rektorin, për të ndërkombëtarizuar sistemin e arsimit të lartë dhe për të afruar në universitetet tona forca të reja dijeje nga universitetet më të mira evropiane, në mënyrë që t’u ofrojmë studentëve tonë mundësi të reja këtu në Shqipëri, programesh të përbashkëta, deri tek diploma të njehsuara drejtpërdrejt.
Jam shumë besimplotë do t’ia dalim që në këtë mandat ta vendosim edhe një bazë inkurajuese të kësaj faze të re për sistemin e edukimit të Mjekësisë, Infermierisë, që është problem më vete”, u shpreh ai.
“Ashtu sikundër me ministren kemi folur për të fuqizuar Universitetin e Mjekësisë me teknologji, për të krijuar mundësinë që Universiteti të ketë shumë më tepër kapacitete teknologjike dhe të fjalës së fundit dhe përtej kapaciteteve teknologjike të avancuara që i ofron sot QSUT dhe që do i ofrojë patjetër dhe më tutje me mbylljen e këtyre projekteve të mëdha që janë në kantier”, tha Rama.


























