ATSH/ Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut në mbledhjen e tij të radhës miratoi aktin normativ “Për miratimin e tekstit të disa ndryshimeve në marrëveshjen për prodhimin e furnizimin nga dhe ndërmjet PFIZER EXPORT B.V. dhe ministrisë së shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të Shqipërisë, ministrit të Shtetit për Rindërtimin dhe Institutit të Shëndetit Publik”.
Projekt-akti u prezantua nga zëvendësministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Eugena Tomini dhe u relatua për komisionin nga deputeti Toni Gogu.
Tomini pasi bëri një prezantim të situatës epidemiologjike në vend të pandemisë COVID-19, situatën e vaksinimit lidhur me grupmoshat dhe dozat e vaksinave të siguruara dhe atyre të injektuara, sqaroi ndryshimet e parashikuara në aktin normativ.
Zëvendësministrja Tomini sqaroi se në nenin dy të marrëveshjes bazë, ka qenë e përcaktuar që për çdo donacion apo rishitje duhej të merrej një dakordësi nga kompania “Pfizer”, çka ka sjellë nevojën për hartimin e disa akteve normative të njëpasnjëshme për donacionet. Me ndryshimet e propozuara në aktin normativ, synohet miratimi i një rregulloreje të përgjithshme që do të krijojë lehtësim për marrjen e donacioneve për vaksizat “Pfizer”.
Deputeti Toni Gogu, në cilësinë e relatorit theksoi nevojën dhe urgjencën e këtij akti Normativ, vlerësoi kushtetutshmërinë e tij dhe ftoi kolegët ta miratojnë atë.
Gjatë diskutimeve deputetët e komisionit apeluan dhe sensibilizuan qytetarët për t’iu drejtuar pikave të vaksinimit për të parandaluar infektimin nga virusi COVID-19. Më pas Tomini iu përgjigj pyetjeve të deputetëve lidhur me dozat e mbërritura deri më tani në vendin tonë, shpërndarjen gjeografike të tyre, dozat e treta, grupmoshat e vaksinuara dhe sensibilizimin që po bëhet me prindërit dhe shkollat për vaksinimin e moshave 12-17 vjeç, etj.


























