ATSH-I.Vata/ Hapet për qarkullim sot Rruga e Arbrit e cila shkurton distancën Tiranë-Dibër nga 4 orë në 1 orë.

Në ceremoninë e hapjes së Rrugës së Arbrit, ku ishte i pranishëm kryeministri Edi Rama, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, rruga u deklarua e kalueshme për qytetarët. Hapja e Rrugës së Arbrit ndodh në përvjetorin e ditës së Çlirimit të vendit.

Rruga e Arbrit provizorisht kalohet me bajpas në Tunelin e Murrizit, ku për shkak të formacioneve gjeologjike komplekse, puna ka ecur më ngadalë dhe përfundon në pranverë, kur rruga do të bëhet për vetëm 47 minuta, nga 1 orë e 20 minuta që bëhet sot ose nga 4 orë që bëhej deri dje.

“Kjo është një rrugë që zgjat 69 km deri në Maqellarë, por në kontratën e koncesionit janë 54 km nga të cilat 38 km ne i dorëzojmë sot për përdorim. Pjesën në Qafën e Murrizit e kemi zgjidhur me një bajpas 8.8 km. Është një bajpas provizor sepse duhet të imponojmë të gjithë drejtuesit e automjeteve që kantieri hapet por në formë provizore, pasi do të vazhdojmë për një pjesë të punimeve që duhen përfunduar. Kontrata ka afat dorëzimi fundin e prillit 2022 por ne do të bëjmë të pamundur për të dorëzuar gjithçka në kohën e duhur”, tha ajo.

Balluku shtoi se problemi qëndron në gjeologjinë e tunelit të Murrizit që është tuneli më i gjatë dhe më kompleks i gjithë kësaj vepre me 3.8 km. “Një tunel ku kemi hasur në shtresa argjilore dhe shtresa ujore. Megjithatë aty punohet në mënyrë të vazhdueshme dhe problematika do të zgjidhet por sigurisht nuk ka atë ecuri që ne kemi pasur në 5 tunelet e tjera”, u shpreh Balluku.

“Kjo është një ditë e shënuar sot sepse rruga shkurton, distancat, nga 4 orë dhe në Dibër shkohet vetëm për një orë, duke pasur parasysh segmentet e tjera të cilat do t’i bashkohen në muajt në vazhdim të gjithë veprës. Ne jemi të sigurtë se deri në prill do të përfundohet”, tha ajo.

“Ne u kemi bërë thirrje publike përmes medieve edhe drejtuesve të automjeteve, të cilët duhet të tregohen të kujdesshëm, e para për të udhëtuar me shpejtësinë që parashikohet në të gjitha tabelat e vendosura gjatë rrugës dhe nga ana tjetër, duke qenë se është një segment i ri, ndoshta dhe i fton për shpejtësi, duke qenë se kjo është një rrugë e kategorisë së lartë, por ne kemi kërkuar që ata të jenë të kujdesshëm dhe Policia do ta monitorojë gjatë gjithë kohës”, shtoi Balluku.

/j.p/