I pranishëm gjatë diskutimit të këtij projektligji, zv.ministri i Financave dhe Ekonomisë, Besart Kadia, tha se “qëllimi i projektligjit është ratifikimi i ndryshimit të marrëveshjes për bujqësinë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Norvegjisë, e cila është pjesë përbërëse vendimit të Komitetit të Përbashkët EFTA – Shqipëri”.
Sipas tij, në përgjithësi shkëmbimet tregtare midis dy vendeve janë në hapat e para të një një shkëmbimi bilateral dhe ajo që ky pr.ligj synon të arrijë është nxitja e shkëmbimeve tregtare mes dy vende.
“Amendimi i parashikuar në këtë projektligj, parashtron që rregullat për produktet e origjinës të jenë sipas protokollit B të marrëveshjes se tregtisë së lirë, me qëllim rritjen e eksporteve drejt Norvegjisë”, theksoi Kadia, teksa vuri në dukje se “ndryshimi i rregullave nuk ka efekte në buxhetin e shtetit dhe zbatimi i rregullave të origjinë të ndryshuar, vlerësohet të sjellë efekte pozitive dhe i jep mundësi bizneseve të përfitojnë në rregullat tregtare”.
Kadia bëri të ditur se në vitin 2019, eksportet drejt Norvegjisë ishin 140 mijë euro. Ndërsa në vitin 2021 vlera e eksporteve është trefishuar në 445 mijë euro.
“Synojmë që lehtësitë që parashtrojmë për produktet e origjinës të shfrytëzohen nga sipërmarrjet për rritjen e eksporteve midis dy vendeve”, tha Kadia. /a.a/



























