Kryeministri Edi Rama deklaroi sot nga Vlora në takimin e Bashkëqeverisjes se, 2022 do jetë viti i mbylljes së sporteleve dhe kalimit të plotë të shërbimeve administrative në smartfonin tuaj apo kompjuterin më të afërt përmes platformës https://e-Albania.

Ai thekson se bashkëqeverisja si mekanizëm i ri ligjor në duart tuaja, jo vetëm për të marrë çdo shërbim të vonuar po edhe mbështetur goditjen e zyrtarëve jokorrektë përmes platformës https://shqiperiaqeduam.al

Në fjalën e tij Rama tha se, sot këtu në Vlorë, promovimi i këtyre mekanizmave është me rëndësi të  veçantë për arsye se bëhet fjalë për një kapërcim shumë të rëndësishëm në një fazë tjetër në një nivel tjetër të marrëdhënieve të qytetarit me shtetin dhe të njeriut të zakonshëm me administratën.

“Nga njëra anë mekanizmi i ri ligjor i bashkëqeverisjes, nga ana tjetër mekanizmi i shërbimeve digjitale publike për të gjithë ata qytetarë që kanë nevojë çdo ditë të marrin nga zyrat e shteti gjithë farë dokumentesh, certifikatash vërtetimesh. Bashkëqeverisja është një koncept të cilin ne e kemi future në gjuhen dhe në traditën e qeverisjes 4 vite më parë kur qytetarët na dhanë mandatin e dyte dhe besimin e madh që të qeverisim si një forcë e vetme dhe ndërkohë ne ishim zotuar se nëse qytetarët do na besonin duke na dhënë mundësinë që në procesin qeverisës të mos ishim të detyruar të mbanim në prehër forca të tjera me të cilat dihen problemet që patëm gjatë mandatit të parë atëherë ne do të ndërtonim një koalicion një aleancë, një bashkim me njerëzit e zakonshëm përtej partive ne funksion të përmirësimit të jetës së tyre dhe njëkohësisht në funksion të mundësimit për çdo kënd që të kishte një marrëdhënie me qeverinë”, tha ai.