Sipas policisë, si rezultat i kontrolleve janë sekuestruar 850 kapsolla Zeus dhe 198 fishekzjarrë, nga të cilët 78 me fuqi të lartë shpërthyese.
“Në zbatim të detyrave të përcaktuara në planin e masave të ardhur nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit dhe në telegramin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, për intensifikimin e kontrolleve në subjekte tregtare, me qëllim parandalimin e tregtimit në mënyrë të kundërligjshme të lëndëve piroteknike, shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër kanë ushtruar kontrolle të befasishme në shumë subjekte tregtare”, informon Policia e Shtetit.
“Si rezultat i kontrolleve, në lagjen Perash, Shkodër, në dyqanin në pronësi të shtetasit M. G., 67 vjeç, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan fishekzjarrë dhe kapsolla me fuqi të lartë shpërthyese”, thekson Policia.
“Në përfundim të veprimeve procedurale, shtetasi M. G. u procedua penalisht për veprat penale “Tregtimi i mallrave kontrabandë“ dhe “Fshehja e të ardhurave“ dhe materialet hetimore i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme”, vijon njoftimi.
Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër apelon për të gjithë personat që ushtrojnë aktivitet tregtar, që të mos tregtojnë lëndë piroteknike, pasi do të përballen me ligjin, dhe fton qytetarët që të denoncojnë në 112 e Komisariatin Digjital, çdo paligjshmëri, duke iu garantuar anonimat të plotë dhe reagim të menjëhershëm e të paanshëm.
/k.s//a.a/



























