ATSH/ Në kuadër të masave për parandalimin e përhapjes së COVID-19, sot hyjnë në fuqi masat e reja anti-COVID që kërkojnë certifikatë vaksinimi për të gjithë punonjësit e administratës publike, të supermarketeve dhe qendrave tregtare.

Komiteti Teknik i Ekspertëve në mbledhjen e fundit vendosi që nga data 4 janar, punonjësit e administratës publike, të qendrave tregtare dhe supermarketeve, për t’u paraqitur në punë duhet të dorëzojnë certifikatën e vaksinimit.

Në mungesë të saj, punonjësit mund të paraqiten me certifikatë shërimi të vlefshme për 6 muajt e fundit, në të kundërt test PCR çdo 5 ditë.

Ndërkohë vazhdon të mbetet në fuqi urdhri për përdorimin e maskave në ambientet e mbyllura, në qendra tregtare, supermarket, dyqane, transport publik dhe në të gjitha ato vende ku nuk sigurohet distancimi fizik.

Në të gjitha rastet kur nuk respektohen masat e rekomanduara do të zbatohen penalitetet, siç është ai individual kur qytetari nuk ka përdorur maskën në ambientet e rekomanduara në masën e gjobës 3 mijë lekë nëse është për herë të parë dhe në rast përsëritjeje në masën 5 mijë lekë.

Në rast kur bizneset nuk zbatojnë protokollet e rekomanduara nga Instituti i Shëndetit Publik, masa e penalitetit shkon nga 100,000-700,000 lekë, në varësi të masës e cila nuk është zbatuar./m.m//a.a/