Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca ndau sot pamje nga bujtina “Maria” në Labovë të Kryqit, në Gjirokastër.
“Kartolina nga Labova e Kryqit na sjell bujtinën Maria. Shembullin e parë të mikpritjes, ngritur përmes mbështetjes së dhënë ndaj turizmit rural në programet e bujqësisë. Hapur për vizitorë, në një fshat me tradita, gjeografi magjike e histori të orthodoksisë”, tha Krifca.

Maria, zonja që ka pasur shtëpinë e të parëve në këtë fshat, falë iniciativës së saj dhe mbështetjes nga Agjencia për Zhvillim Rural dhe Bujqësor, ka hapur bujtinën e parë në këtë fshat.

Falë rrugëve lidhëse të përfunduara në Labërinë e sipërme, rrugëtimi drejt fshatrave të tillë si Labova, jo shumë të njohur për turistët vendas e të huaj, është shumë më komod.

Qeveria shqiptare në mandatin e tretë të saj synon të rrisë më tepër mbështetjen për qytetarët që do të kthejnë shtëpinë e tyre në bujtinë.

Për çdo emigrant që kthehet dhe investon në shtëpinë e prindërve apo gjyshërve të tij qeveria do të japë një grant prej 5 mijë eurosh./m.m//a.a/