Partia e Gjelbër Evropiane mund të ndërmarrë veprime ligjore kundër Komisionit Evropian lidhur me planet e tij për të përcaktuar energjinë bërthamore dhe gazin si të qëndrueshme.
“Si të gjelbër evropianë, ne po shqyrtojmë veprimin ligjor në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë (ECJ) kundër planeve të Komisionit Evropian për të klasifikuar investimet në gaz dhe termocentralet bërthamore si të qëndrueshme dhe miqësore me klimën”, deklaroi Thomas Waitz per ”Die Welt”.
“Komisioni Evropian e di se propozimi i tij mund të kundërshtohet ligjërisht dhe nuk është në një bazë veçanërisht solide. Ne tani kemi plane për të mobilizuar një shumicë në parlamentin e BE-së kundër ketyre planeve”, tha Waitz.
Sipas propozimit, investimet në termocentrale bërthamore do të konsideroheshin të gjelbra nëse do të përdornin standardet më të fundit teknologjike dhe do të përfshinin një plan konkret për asgjësimin e mbetjeve bërthamore që do të vihej në funksion deri në vitin 2050.
Përkrahësit argumentojnë se termocentralet me gaz, për shkak të të qenit më të pastër se qymyri dhe alternativat e tjera, ndihmojnë ekonomitë në rrugën drejt një të ardhmeje të qëndrueshme mjedisore.
Energjia bërthamore do të etiketohet e gjelbër sepse nuk lëshon gazra serrë.
Por, kundërshtarët argumentojnë se rreziqet afatgjata të mbetjeve radioaktive tejkalojnë mungesën afatshkurtër të emetimeve të dyoksidit të karbonit.
Termocentrali i fundit bërthamor gjerman pritet të jetë jashtë rrjetit deri në fund të vitit 2022.

























