Inspektimet në terren nisën që prej orëve të para të mëngjesit të sotëm në Doganën dhe Zyrën e Punës, por edhe 24 institucione të tjera shtetërore.
Drejtori i ISHSH-së në Vlorë, Lorenc Rexha, tha se “kemi dalë sot me 7 grupe inspektimi në qarkun e Vlorës, kryesisht në institucione shtetërore për të parë mënyrën e zbatimit të urdhrit”.
“I kemi nisur drejtuesve të institucioneve për njohje një e-mail dhe sot në degën e doganës Vlorë kemi verifikuar certifikatën e vaksinimit, apo për ata që s’janë të vaksinuar do të paraqesin çdo pesë ditë testin molekular PCR”, theksoi Rexha.
Rexha u shpreh se “nëse nuk kryhet është detyrë e drejtuesit të institucionit të marrë masat ndaj punonjësit. Ne nuk do të tolerojmë në këtë pjesë, do të jemi çdo ditë në terren”.
Ai shtoi se ne bëjmë edhe verifikimin e certifikatës në e-albania për çdo punonjës që na kanë ofruar drejtuesit.
Komiteti Teknik i Ekspertëve në mbledhjen e fundit në dhjetor 2021, vendosi që nga data 4 janar, punonjësit e administratës publike, të qendrave tregtare dhe supermarketeve, për t’u paraqitur në punë duhet të dorëzojnë certifikatën e vaksinimit.



























