Bisedimet NATO-Rusi për sigurinë kanë përfunduar sot siç pritej pa hapa specifikë, ndërsa të dyja palët janë shprehur të gatshme për të vazhduar diskutimet përmes tensioneve të shkaktuara nga një grumbullim i trupave ruse në kufirin ukrainas.
“Mosmarrëveshjet tona nuk do të jenë të lehta për t’u kapërcyer, por është një shenjë pozitive që të gjithë aleatët e NATO-s dhe Rusia u ulën rreth të njëjtës tryezë dhe u angazhuan për të biseduar”, tha sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg pas gati katër orësh bisedimesh në selinë e aleancës në Bruksel.
“Moska nuk është e gatshme të angazhohet menjëherë për takime të reja me aleancën ushtarake perëndimore, por të paktën është e hapur për dialog”, tha Stoltenberg.
Zëvendësministri i Jashtëm rus Alexander Grushko tha se, NATO nuk ishte e gatshme të bënte lëshime apo të merrte parasysh interesat e sigurisë së shteteve të tjera.
Kievi dhe aleatët e tij perëndimorë janë gjithnjë e më të shqetësuar se Rusia mund të përgatitet të nisë një inkursion të ri në territorin ukrainas, i ngjashëm me aneksimin e Gadishullit të Krimesë në vitin 2014.
Moska mbështet separatistët pro-rusë në rajonin e kontestuar lindor të Ukrainës, Donbas, ndërsa aleatët e NATO-s mbështesin forcat e qeverisë ukrainase. Konflikti ka shkaktuar vdekjen e mijëra personave.
Zëvendës-sekretarja e Shtetit në SHBA, Wendy Sherman tha të mërkurën se, Rusia tani ka grumbulluar më shumë se 100,000 trupa pranë kufirit me Ukrainën.
“Janë veprimet e Rusisë që po shkaktojnë një krizë të përsëritur jo vetëm për Ukrainën, por për të gjithë Evropën dhe për ne”, u tha ajo gazetarëve në Bruksel. Sherman theksoi edhe një herë gatishmërinë e Uashingtonit, në rastin e një pushtimi të mundshëm, për t’iu drejtuar sanksioneve të reja ekonomike, siç bënë aleatët perëndimorë në vazhdën e inkursionit të vitit 2014.
Moska ka mohuar mundësinë e ndonjë qëllimi për agresion dhe ndërkohë po shtyn kërkesat e veta të reja të sigurisë. Këto përfshijnë garancitë se NATO nuk do të zgjerohet më tej në lindje, do të reduktojë trupat dhe armatimet në Evropën Lindore, dhe gjithashtu se Ukraina nuk do të anëtarësohet kurrë në NATO, një vijë e kuqe kryesore për aleancën dhe partnerin e ngushtë Kievin.
Duke folur me gazetarët në Bruksel, Grushko akuzoi NATO-n se po ndjek një politikë të përshtatshme për epokën e Luftës së Ftohtë, kur qëllimi i Perëndimit ishte të mbante nën kontroll Bashkimin Sovjetik. “Rusia do të mbrohej kundër kësaj”, theksoi ai.

























