”Dhënia e dozave të përforcimit në të gjithë botën çdo katër apo gjashtë muaj jo vetëm që nuk është e mundur, por ndoshta as e nevojshme”, theksoi Pollard.
“Ne nuk kemi arritur as t’i ofrojmë një dozë çdo qytetari afrikan, si mund të arrijmë administrimin e dozës së katërt për çdo person në planet?”, shtoi ai.
Sipas ekspertit, duhet të ketë të dhëna të mëtejshme për të vendosur se kur, sa shpesh dhe nëse do të jetë e nevojshme të vaksinohen më të rrezikuarit, kryesisht të moshuarit dhe personat me sëmundje bashkshoqëruese.
Ndërsa Pollard kundërshton idenë e një doze të katërt për të gjithë, Izraeli tashmë ka filluar të administrojë një dozë tjetër përforcuese për personat mbi të 60-a, dhe ministri gjerman i shëndetësisë Karl Lauterbach theksoi se ”një dozë e katërt do të jetë e nevojshme”.
Nga ana tjetër, më i matur është imunologu amerikan Anthony Fauci, sipas të cilit është ende herët të flitet për dozën e katërt.
“Një nga gjërat që do të duhet të vëzhgojmë me kujdes është kohëzgjatja e mbrojtjes me dozën përforcuese të vaksinave mRNA. Nëse doza përforcuese mbron më mirë se vetëm dy dozat e para, një dozë e katërt mund të mos jetë e nevojshme për një kohë të gjatë”, theksoi Fauci. /os/



























