Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Gledis Nano, tha sot se “duhet të rrisim forcën parandaluese, forcën goditëse ndaj krimit në të gjitha fushat në qarkun e Beratit”.
Në fjalën e tij gjatë analizës vjetore të punës së bërë nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Berat, Nano theksoi se “fakti që nuk ka ndodhur asnjë vrasje në Berat ka të bëjë me forcën parandaluese të kësaj policie, lidhur me këto vepra të rënda penale, të cilat janë një indikator shumë domethënës në sigurinë publike të të gjithë qytetarëve dhe për këtë vlen të përgëzohet gjithë stafi i drejtorisë tuaj”.
Sipas Nanos, edhe rezultatet në drejtim të ndjekjes, parandalimit apo dhe të dokumentimit të veprave të tjera penale, janë të mira.
“Ajo që ne duhet të synojmë gjatë vitit 2022, pa harruar rezultatet e mira që kemi pasur gjatë vitit 2021, në qarkun e Beratit, është të rrisim forcën parandaluese, forcën goditëse ndaj krimit në të gjitha fushat dhe tipologjitë e krimeve që ka qarku problematikë, duke rritur kështu dhe besimin me qytetarët, të cilët janë aleati ynë dhe nuk janë sot në këtë sallë”, nënvizoi Nano.
Drejtori i përgjithshëm i Policisë, Nano shprehu bindjen se Drejtoria Vendore e Policisë Berat do të vazhdojë të ketë rezultate më shumë në të ardhmen dhe ashtu siç në të vërtetë është një qytet muze Berati, ashtu do të jetë një qytet muze apo t’i reflektojë këto vlera dhe në raport me sigurinë dhe rendin në qytet, jo vetëm për qytetarët e Beratit, por për të gjithë turistët që vijnë dhe vizitojnë të gjithë qarkun, jo vetëm qytetin.
“Nuk mund të vetëkënaqeni me ato që kemi arritur deri më tani, por duhet të synojmë edhe të kërkojmë akoma më shume tek vetja në fillim dhe pastaj tek partnerët apo institucionet e tjera ligjzbatuese apo të inteligjencës me të cilët ne bashkëpunojmë, për t’ia arritur qëllimit tone”, tha Nano.



























