ATSH/ Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka informuar se 24 orët e fundit janë identifikuar pozitivë me COVID-19 vetëm 4 persona.
Rovena Daja, eksperte pranë Institutit të Shëndetit Publik ka bërë të ditur se “situata epidemiologjike në vend paraqitet e qëndrueshme mbështetur në identifikimin e rasteve të deritanishme dhe gjurmimin epidemiologjik në mënyrë aktive.
Në 24 orët të fundit janë testuar 243 qytetarë të dyshuar si të prekur me Covid-19. Që nga fillimi epidemisë, sot shënohet dita me pozitivitetin më të ulët në vend, ndaj totalit të testimeve ditore, me vetëm 1.64 %.
“Në 24 orët e fundit kanë rezultuar pozitive 4 qytetarë, përkatësisht 2 qytetarë në Krujë, 1 në Tiranë dhe 1 në Berat. Të shëruar janë 28 qytetarë”, u shpreh Daja.
Nga fillimi i epidemisë, deri tani, në vendin tonë janë kryer 11332 testime, nga të cilat, 10802 janë testime molekulare dhe 530 janë testime serologjike.
Pavarësisht situatës së përmirësuar, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale thekson se është shumë e rëndësishme që qytetarët të ruajnë distancimin fizik dhe higjienën personale; bizneset të zbatojnë protokollet e sigurisë për të ruajtur shëndetin e qytetarëve.
Qytetarët duhet të jenë të kujdesshëm të mos neglizhojnë shenjat e sëmundjes Covid-19, ndaj ju lutemi telefoni në numrin unik të Urgjencës Kombëtare, 127.
Për informacion në lidhje me COVID19, për këshillim psikologjik në rast të shfaqjes së shenjave të ankthit apo shqetësime të tjera, ju lutemi, telefononi në linjën e gjelbër 0800 40-40.
COVID-19 – Statistika (12 Maj 2020)
Testime totale 11332
Testime molekulare 10802
Testime serologjike 530
Raste pozitive 876
Raste të shëruara 682
Raste Aktive 163
Humbje jete 31 (Qarku Tiranë 18, Durrës 6, Fier 3, Vlorë 1, Shkodër 2, Kukës 1)
Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive është si vijon:
Tiranë 70
Krujë 51
Shkodër 16
Kamëz 12
Fier 5
Kurbin 3
Elbasan 2
Mirditë 1
Berat 1
Durrës 1
Korçë 1
/j.p/