ATSH/ Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) bën të ditur se, ka kryer 60 inspektime në subjekte të përpunimit të mishit, njësi tregtimi mishi, përpunim qumështi, magazinë ushqimore, fast-food etj, në zonën Tiranë, Elbasan, Berat.
Sipas AKU-së, trupa ekspertëve ka kryer 30 inspektime në subjekte të ndryshme ushqimore në Tiranë. Nga kontrollet e kryera janë dhënë 7 paralajmërime për mangësi të konstatuara dhe janë marrë 10 mostra për analiza laboratorike.
Në Elbasan, janë kryer 20 inspektime.Inspektorët kanë bllokuar 1.8 ton produkte peshku deri në daljen e përgjigjes së analizës, ndërsa janë marrë 5 mostra për analiza laboratorike.
Në Berat, trupa inspektuese ka kryer 10 inspektime në subjektete e tregtimit të mishit, prodhim/ambalazhim vezësh, supermarkete dhe markete ushqimorë, tregtim të produkteve të duhanit etj. AKU ka dhënë një paralajmërim për mangësi të konstatuara dhe ka marrë 5 mostra për analiza laboratorike.


























