ATSH/ Inflacioni 3.7 % në janar të këtij viti është ende më i ulët se në eurozonë dhe një nga faktorët që e ka mbajtur në nivele disi më të ulëta se parashikimet duket se është pikërisht forcimi i lekut në kursin e këmbimit valutor.

Banka e Shqipërisë bëri të ditur se, forcimi i pozitave të lekut me euron në tregun e këmbimit valutor, ka ndikuar në zbutjen e inflacionit të importuar nga jashtë gjatë 3-mujorit të fundit të vitit të kaluar.

Sipas Bankës së Shqipërisë, çmimet e mallrave të importit u rritën me 15.8 % në tremujorin e fundit të vitit 2021. Por, nga ana tjetër, leku vijoi mbiçmimin me 4.9 % në kursin e këmbimit kundrejt valutave të partnerëve kryesorë tregtarë të vendit (KNEK).

“Forcimi i lekut e ka zbutur treguesin e presioneve të huaja inflacioniste në 10.9 %”, theksoi BSH-ja, teksa informon se, “ky tregues llogaritet si rritja vjetore e indeksit të çmimeve të huaja dhe indeksit KNEK për periudhën përkatëse”.

BSH-ja bëri të ditur se, kontributi i inflacionit të importuar në tremujorin e fundit 2021 arriti në 46 %, ndërsa një vit më parë kishte qenë 40 %.

Sipas INSTAT, në muajin janar 2022 inflacioni shënoi nivelin 3.7 %, në të njëjtin nivel me dhjetorin 2021. Për momentin,

Banka Qendrore pret që presionet e huaja inflacioniste do të vijojnë të ushtrojnë presion rritës mbi inflacionin përgjatë vitit 2022.

/j.p/r.e/