Kryeministri Edi Rama u shpreh sot gjatë prezantimit të 7 masave të “Paketës së Rezistencës Sociale”, se “jemi përsëri në vështirësi, si me tërmetin, si me pandeminë, por kjo është më e keqe akoma dhe sidomos nëse zgjat pafund, por ama, jo për fajin e Shqipërisë, por për fajet e dikujt që kërkon ta kthejë Europën në kohët më të zeza të shekullit të kaluar, të cilat, ne shqiptarët, dhe këtu flas për shqiptarët që i kanë jetuar e jo për ata që nuk i kanë jetuar dhe i fyejnë viktimat e komunizmit, duke folur për komunizëm sot”.
“Ne kemi kaluar më zi se të gjithë popujt e tjerë të Europës, por edhe këtu duhet të bashkohemi tek e vërteta, duke nisur nga e vërteta se lufta që na ka përfshirë përmes rritjes së çmimeve nuk është film, nuk është as larg nesh. Sot është rritja e çmimeve, por ne duhet të jemi shumë të përgatitur për çdo përkeqësim të mundshëm sepse është luftë dhe ne nuk mund të bëjmë dot asgjë tjetër, përveçse ta përballojmë me kurajo, dinjitet dhe me durim. Nëse ne nuk arrijmë dot ta përballojmë dot me kurajë, dinjitet dhe durim kaq sa deri tani, më falni por, çfarë do bëjmë ne më tutje nëse gjërat përkeqësohen edhe shumë më keq?”, tha Rama.
“Më thonë që “Mos i jep popullit pesimizëm, jepi shprese”. Shpresa lind nga e vërteta. Ai burri atje që po i tregon botës se çdo të thotë të jesh i pari i një vendi, ai shpresën tek triumfi nuk e ushqen me idenë që më e mira do bëhet vetë. Ai shpresën tek triumfi e ushqen me të vërtetën që mund edhe të japi jetën atje.
Prandaj, atyre që më thonë, “Shiko se ti vetëm fut panik, ti vetëm fut alarm, s’di t’i japësh popullit shpresë”, populli është një fjalë shumë e madhe dhe me popullin do ta mbyll, por dua t’ju them që shpresa është tek e vërteta”, u shpreh Kryeministri Rama.
“Si mund t’ja themi vetes, në ndërkohë që ata, të cilët janë nën bomba dhe raketa vdesin, shkatërrohen, ndahen me përdhunë nga trungu familjar, shpërngulen nga toka e tyre, se ne nuk duam të kemi asnjë dhimbje koke më shumë sesa kur nuk kishte luftë fare dhe se ne na çmend tabela e çmimit të naftës? Si?”, tha ai.
“Disa arrijnë të thonë që nuk duhet t’i kishim vendosur sanksione Rusisë, meqë ata duhet ta blejnë naftën më shtrenjtë, mirëpo përsëri e vërteta na duhet për t’u bashkuar tek fakti dhe fakti është se njësoj po goditet nga rritja e çmimeve edhe kush nuk ka vënë sanksione.
Shikoni Turqinë. Në Turqi çmimi i energjisë sapo është dyfishuar, me gjithë inflacionin shumë të lartë prej disa kohësh që e ka përfshirë.
Shikoni Serbinë, ku i ka kërcyer çmimet, pavarësisht se as Turqia e as Serbia nuk kanë vënë sanksione. Shkoni edhe në Australi, shikoni Australinë që nuk është as në kufi me Ukrainën, nuk është as në Ballkanin Perëndimor, nuk është as në Europë. Si ka mundësi që atje çmimi i energjisë ka kërcyer, nafta, grupi e të tjerë? Si shpjegohet kjo? Si mund të imagjinohet që në Shqipëri nuk ka as krizë energjetike, as pasoja lufte, por e gjithë ajo që gjithë botës i ndodh për të njëjtat arsye, Shqipërisë i ndodhka për një arsye tjetër, për shkak se qeveria vjedh! Vjedh energjinë, vjedh naftën, vjedh dhe grurin, bashkë me oligarkët”, u shpreh Rama.
“Kjo e vjedhjes del nga zorrët e atyre që janë mësuar të vjedhin, këtë di t’iu them unë, ose atyre që ëndërrojnë të vjedhin sepse nuk gjej asnjë shpjegim tjetër.
Ne nuk mund të jemi këta. Ne nuk jemi këta dhe Shqipëria sot është diçka krejt tjetër nga ata që dalin në rrugë për të krijuar të njëjtën gjë që kanë kërkuar gjithmonë, sherrin, përçarjen, rrëmujën, mundësisht kaosin, në atë përmbysjen e ëndërruar dëshpërimisht. Kaq dëshpërimisht sa tani kush i udhëheq, e di që është i djegur, i diskredituar dhe nxjerr përpara disa me demek fytyra të reja sepse edhe një kryefytyrë e re që ishte u dogj dhe u diskreditua edhe ajo”, vijoi ai.
“Unë jam këtu për t’ju mbrojtur të gjithëve, ashtu siç ma kërkon detyra që ma ka besuar shumica e siç kam qenë këtu me ju dhe për ju, pavarësisht kahjeve kur keni humbur shtëpitë, apo kur na mbylli të gjithëve brenda pandemia.
Ju kam thënë ”Do t’ja dalim dhe do dalim më të fortë” dhe ashtu ka ndodhur. Jo sepse e kam thënë unë, por për një arsye tjetër, sepse në këtë vend ka një popull që është më i mençur dhe më i fortë se unë dhe çdo individ që flet në emër të tij, ka një popull që nuk jeton në internet, ka një popull që të jep ujë në bisht të lugës dhe ta mat kokën me pe, kur i thonë fjalës. Unë ia kam borxhin durimin dhe përkushtimin tim pikërisht këtij populli që nuk bëhet ujk, duke kërkuar çdo mjegull, nuk bëhen as mish për top për ata që mblidhen këtu poshtë zyrës në emër të tij dhe thonë “Erdhi populli këtu”. Jo, populli nuk vjen këtu ,të paktën nuk ka ardhur tani këtu”, tha Rama.
“Sinqerisht fare, më lejoni ta them këtë, të ishte për shqipet që fluturojnë duke përbuzur të vërtetën, faktet dhe deri edhe punën e tjetrit, më besoni që nuk do harxhoja asnjë orë e jo më vite të tëra pa gjumë në krye të kësaj detyre. Lufta nuk është as e majtë, as e djathtë”, përfundoi Rama.



























