ATSH/ Një tjetër hap konkret drejt ndërkombëtarizimit të universiteteve u shënua sot me nënshkrimin e Memorandumit të Mirëkuptimit mes Universitetit Bujqësor të Tiranës (UBT) dhe Michigan State University (MSU).
Në ceremoninë e zhvilluar sot në Tiranë me këtë rast, ishin të pranishëm kryeministri Edi Rama, Ambasadorja e SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim, ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, Rektori i Universitetit Bujqësor të Tiranës, Prof.Dr. Fatbardh Sallaku, Prof.i Asoc. Kurt Richter, Drejtor i Qëndrës Ndërkombëtare për Risitë e Sistemeve të Ushqimit në Universitetin Shtetëror të Michigan-it, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, studentë dhe pedadogë të këtij universiteti si dhe të ftuar të tjerë.
Ministrja Kushi në fjalën e mbajtur me këtë rast tha se “kjo marrëveshjeje mes dy universiteteve synon të lehtësojë dhe përmirësojë bashkëpunimin akademik për trajnimet, kërkimin shkencor, zhvillimin e kurrikulës, sigurimin e cilësisë si dhe shkëmbimin e studentëve dhe stafit”.
Kushi theksoi se sektori i bujqësisë është prioritet për zhvillimin e vendit dhe kjo duhet të reflektohet në shifrat e studentëve të cilët zgjedhin degët e bujqësisë.
Sipas saj, sfida më e madhe e Universitetit Bujqësor të Tiranës mbetet rritja e interesit për të rinjtë shqiptarë për të studiuar në programet e ofruara në këtë universitet, për të cilat tregu ka nevojë.
“Jemi të angazhuar maksimalisht që së bashku me rektorin e universitetit të nxisim interesin për këto degë. Nuk do ta bëjmë këtë vetëm me ndërgjegjësim apo promovim, por me mbështetje financiare. Ne do të ofrojmë mbështetje financiare dhe reduktim tarifash apo bursa studimi për ata studentë që do të zgjedhin të studiojnë në këto programe prioritare”, u shpreh ministrja Kushi.
Duke folur për kampusin e ri universitar të UBT-së, Kushi tha se ai do të jetë një ndër më të mëdhenjtë në rajon, një investim nga qeveria shqiptare ku do të akomodohen 2200 studentë. Kjo do të jetë një qendër multifunksionale që do të ofrojë të gjitha shërbimet që kanë nevojë studentët.
Ndërsa Rektori i UBT-së, Prof.Dr. Fatbardh Sallaku e cilësoi memorandumin e bashkëpunimit me Michigan State University (MSU), një marrëdhënie strategjike që do të shërbejë si një urë bashkëpunimi në fushën akademike për trajnime, kërkimi shkencor dhe zhvillimin e kurrikulës në fushën e bujqësisë.
Kjo marrëveshje, theksoi Sallaku, vjen pas një periudhe 7-mujore që nga momenti i nisjes së kontakteve të bashkëpunimit mes dy universiteteve.
Sallaku falënderoi ambasadoren Kim dhe qeverinë amerikane për atë që ka bërë gjatë gjithë këtyre viteve për çdo sektor dhe për Universitetin Bujqësor të Tiranës në veçanti, që kulmon me këtë marrëveshje sot.
“Bashkëpunim me Michigan State University (MSU) do ta kthejnë UBT në lider të kërkimit shkencor në bujqësi dhe do ta shndërrojë në një qendër të rëndësishme për Michigan State University (MSU) dhe Ballkanin Perendimor”, vlerësoi Sallaku.
Prof.i Asoc.Kurt Richter, Drejtor i Qendrës Ndërkombëtare për Risitë e Sistemeve të Ushqimit në Universitetin Shtetëror të Michigan-it, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në fjalën e mbajtur në këtë takim, tha se “jemi sot këtu që të ecim në krah të Universitetit bujqësor”.
“UBT përpiqet të jetë një qendër e kërkimit shkencor dhe të prodhojë të diplomuar që do të sjellim zhvillim në bujqësinë shqiptare dhe ne do t’ju ndihmojmë për të qenë universiteti kryesor, udhëheqës në rajon”, tha Richter, teksa vuri theksin në forcimin e bashkëpunimit midis dy universiteteve në të gjitha fushat respektive.
Ndër të tjera profesori Richter, vlerësoi rolin e Shqipërisë dhe të kryeministri Edi Rama, që hapi dyert për qytetarët afganë, ku pjesë janë edhe grupi i studentëve që studiojnë master në UBT.


























