Kuzhinieri i njohur Indrit Çela është dhunuar fizikisht me sende të forta gjatë mbrëmjes së djeshme dhe policia ka zbardhur detajet e ngjarjes.
Kuzhinieri ka deklaruar se nuk ka arritur t’i njohë autorët për shkak të errësirës, ndërsa më vonë është zbuluar për një konflikt të mëparshëm me ata që e sulmuan, të cilët janë vëllezër.
Pas ngjarjes është bërë e mundur identifikimi dhe arrestimi i njërit prej autorëve ndërsa hetimet vazhdojnë.
“Shtetasit E. L., dhe D. L., vëllezër, banues në fshatin Derven, rreth orës 18:30, në aksin rrugor Fushë Krujë – Rinas, në vendin e quajtur “Ura e Gjoles”, me automjetin e tyre i kanë bllokuar rrugën automjetit, me të cilin udhetonte shtetasi I. Ç., 39 vjeç, dhe e kanë goditur këtë të fundit me sende të forta duke i shkaktuar dëmtime të rënda fizike, i cili ndodhet në spital për ndihmë mjekësore.
Shtetasi E. L., është arrestuar mbrëmjen e djeshme, në kuadër të operacionit policor të koduar “Derveni”, ndërsa vëllai i tij shtetasi D. L., është shpallur në kërkim dhe vijon puna për kapjen e tij. Nga veprimet e para hetimore ka rezultat se mes shtetasve I. Ç., dhe vëllezërve E. L., e D. L., ka pasur konflikte të mëparshme”, sipas policisë.



























